Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Qeveria Shqiptare ka paralajmeruar shtetet fqinje kryesisht Maqedoninë për një trajtim më normal të banorëve të zonave kufitare. 13 të vrarë gjatë këtij viti në zonën kufitare verilindore, e sidomos në afërsi të Rajcës nxitur diplomacinë shqiptare të kërkojë vendosjen e lehtësirave për lëvizjen e lirë të banorëve të zonave kufitare në mënyrë që të evitohen incidentet e mundshme.

Drejtori i shtypit në Ministrinë e Jashtme Sokol Gjoka, shpjegon gjendjen aktuale në pikat kufitare me Maqedoninë, Greqinë, Malin e Zi dhe Kosovën.

Sokol Gjoka:- “Janë krijuar lehtësi banorëve të këtyre zonave kufitare për një lëvizje të lirë në një sektor që kap rreth 10 km deri në 20 km në brendesi të territoreve të njëri-tjetrit. Kjo ndikon për shkëmbimin e njerëzve, lëvizjen e njerëzve, të mallrave si dhe tregtinë kufitare”.

Gazetari:- Përsa i përket pikave të tjera kufitare, kam parasysh me Greqinë, Malin e Zi si dhe me Kosovën, si po ndiqet regjimi kufitar dhe ai tregtar?

Sokol Gjoka:- “Problemi i Malit të Zi është problem i ngrirë tashmë për faktin se Mali i Zi bën pjesë në atë çka ka mbetur nga Federata Jugosllave dhe është ushtria jugosllave dhe politika e Beogradit e cila ka bllokuar jo vetëm veprimtarinë politike diplomatike mbasi i ka ngrirë marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë, por njëkohësisht ka bllokuar edhe lëvizjen e njerëzve. Kështu që me Malin e Zi pothuajse nuk komunikohet fare. Ndërsa lidhur me problemin e Kosovës, me lëvizjet në Kosovë, ato tashmë janë rregulluar sipas standarteve ndërkombëtare dhe shkojnë drejt perfeksionimit si nga pala shqiptare ashtu dhe nga pala në territorin kosovar. Ndërkohë që funksionojnë si doganat si kontrolli policor për qytetarët që lëvizin. Ndërsa lidhur me problemin e Greqisë edhe këtu ka tratativa për të lehtësuar lëvizjen ndërkufitare, tratativa që do të shkojnë drejt nënshkrimit të marrëveshjeve për banorët e zonave kufitare sepse duke i krijuar atyre lehtësira të tilla i krijon hapësirë për lëvizje, shkëmbim, gjë që ndikon edhe në kontaktet midis banorëve të këtyre zonave por edhe në zhvillimin ekonomik të këtyre zonave”./tvklan.al

Gazatar – Vladimir Lame