Pas takimit me komisionierin e Bashkimit Europian Franco Frattini javën e kaluar, Ministri i Brendshëm Sokol Olldashi ishte i ftuar në emisionin “Opinion Plus”, nga ku foli për çeljen e negociatave për lehtësimin e regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë, si dhe për mundësinë e kandidimit të tij në zgjedhjet lokale për Bashkinë e Tiranës.

“Për herë të parë liberalizimi i vizave është përmendur si term në Samitin e Selanikut në Qershor të vitit 2003. Në atë samit vendet e BE-së pranuan perspektivën e integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjë që duhej të pasohej më pas nga disa hapa për liberalizimin e lëvizjes së njerëzve që vijnë nga vendet e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Kjo do të shoqërohej me marrëveshje ripranimi, që këto vendet duhet të nënshkruanin me BE-në. Shqipëria është vendi i parë në rajon që e ka nënshkruar dhe që po e zbaton. Ky është një plus i madh për Shqipërinë në krahasim me vendet e tjera. Për shkak të ngjarjeve të ndodhura në vende të ndryshme të Bashkimit Europian, që kanë të bëjnë me politika të brendshme, pati një stepje në këtë drejtim. Pas kësaj erdhi nisma e zv.Presidentit Frattini, e cila synon të gjejë një zgjidhje të ndërmjetme mes situatës ku jemi sot dhe liberalizimit të plotë. Nisma Frattini synon lehtësimin e procedurave për marrjen e vizave. Së pari, duhet të jemi të qartë që negociatat kanë filluar vetëm politikisht. Raundi i negociatave teknike do të zhvillohet në datën 13 dhjetor në Bruksel. Në vija të përgjithshme lehtësimi do të thotë shkurtim i kohës së aplikimit, shkurtim i kohës së marrjes së përgjigjes, mbajtja në tarifë konstante e pagesës që një qytetar shqiptar duhet të paguajë për vizat, ndërkohë që nga 1 Janari i vitit 2007 kjo tarifë do të dyfishohet nga BE-ja, lehtësimi i dokumentacionit për të marrë një vizë dhe kalimi në një progresion i vizave, që do të thotë një person që ka marrë një vizë 1 mujore me një hyrje, të cilën e ka respektuar, mund të marrë një vizë 6 mujore me shumë hyrje”, shpjegoi Olldashi.

Ministri i Brendshëm u shpreh se një draft marrëveshje i është paraqitur vendit tonë nga Komisioni Europian, por qeveria shqiptare do të negociojë kategorinë e personave që do të mund ta përfitojnë nga lehtësimi i regjimit të vizave, siç janë studentët, zyrtarët, grupimet kulturore dhe shkencore, pushteti lokal, qytetarët që kanë të afërm në vendet e BE-së etj, duke u munduar të përmbledhë masivisht të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare. Olldashi gjithashtu sqaroi se kjo marrëveshje nuk ka një numër të përcaktuar vizash, por synon vetëm lehtësimin e marrjes së vizave.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu se kur do të arrijmë në legalizimin e plotë të vizave, ministri Olldashi tha: “Liberalizimi i plotë i vizave do të varet nga shumë parametra të tjerë, të cilat Shqipëria duhet t’i plotësojë, që kanë të bëjnë kryesisht me parametra të sigurisë publike dhe të sigurisë së dokumentacioneve të udhëtimit. Pasaporta shqiptare është një dokument i sigurt, por që me standardet e reja që ka vendosur BE për dokumentacionin e udhëtimit që duhet të ketë elementë biometrikë, ne besoj se do ta përmbushim brenda mesit të vitit 2007. Projekti është i përfunduar, pritet vetëm tenderimi dhe menjëherë futja në prodhim. Edhe për kartat e identitetit është e njëjta gjë. E vetmja nyje që ne po zgjidhim aktualisht është se si do të korrelojmë në një sistem unik informacioni database-n e pasaportave dhe kartave të identitetit”.

Sipas Sokol Olldashit, vonesa e përmbushjes së premtimit të bërë në zgjedhjet e vitit 2005 për kartat e reja të identitetit ka ardhur si pasojë e kërkimit për një projekt të përmirësuar dhe cilësor me standardet e Bashkimit Europian, pra me parametrat biometrikë, të cilat nuk kanë qenë më parë.  “Është më mirë të vonohesh pak, por të bësh një gjë të saktë, sesa të nxitohesh shumë dhe diçka të të shpëtojë nga kontrolli. Është një proces që duhet të jetë shumë i kujdesshëm dhe shumë koherent në të gjtithë elementët e tij”.

Përsa i përket nisjes së negociatave për lehtësimin e regjimit të vizave, Olldashi tha se janë në pritje të raundit të negociatave teknike, që do të zhvillohen më 13 Dhjetor në Bruksel, por ndërkohë kanë marrë vlerësime pozitive nga zv. Presidenti Frattini.  

“Krahas reformimit institucional dhe legal që po i bëjmë aspekteve të sigurisë publike, unë besoj që brenda pranverës së vitit që vjen ne do të kemi arritur të nënshkruajmë marrëveshjen me Bashkimin Europian dhe të fillojmë implementimin e saj. Unë shpresoj që të fillojë brenda 6 mujorit të parë. Lehtësimi i vizave do të jetë për të gjitha vendet e Bashkimit Europian me përjashtim të Mbretërisë së Bashkuar, Danimarkës dhe Irlandës”.

Ministri i Brendshëm foli gjithashtu edhe për certifikatat, të cilat po përdoren si një nga pikat që opozita kërkon të kontestojë zgjedhjet. I pyetur nga gazetari Fevziu nëse mund të përdoren certifikata false për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve, Olldashi u shpreh: “Të gjitha minibashkitë e Tiranës, me përjashtim të njërit, i drejton Partia Socialiste dhe zyrat e Gjendjes Civile në përgjegjësitë e qeverisjes vendore komandohen nga kryetarët e njësive dhe jo nga Ministria e Brendshme. Pra praktikisht nuk ka asnjë lloj mundësie që këto certifikata të keqpërdoren nga ne! Ky duhet të jetë shqetësimi jonë sepse certifikatat i administrojnë ata dhe jo ne. E gjitha kjo është një gjë e paqëndrueshme, është vetëm shprehje e vullnetit të PS për të dëmtuar procesin. Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve përfaqësuesit e PS-së braktisën komisionin dhe ne miratuam amendamentet e PS. Ndërkohë që PS lajmëroi se ne nuk do të shkojmë në seancë dhe nuk do të votojmë amendamentet që vetë ata i kanë propozuar. Po ta shihni me kujdes amendamentet kanë ardhur vetëm nga PS dhe kanë ardhur për një kod që është konsensual”.   

Olldashi tha se Ministria e Brendshme është tërësisht në rregull me listat zgjedhore, ndërsa publikimi i tyre nuk është detyrë e kësaj ministrie, por e njësive të qeverisjes vendore. Ministri Olldashi siguroi se qeveria shqiptare është angazhuar plotësisht që zgjedhjet lokale të vitit 2007 do t’i garantojnë çdo qytetari shqiptar të drejtën e ligjshme për të votuar i lirë. 

Përsa i përket mbledhjes që do të zhvillojë kryesia për të zyrtarizuar emrin e tij si kandidat për Bashkinë e Tiranës përballë kandidatit të Partisë Socialiste, Edi Rama në zgjedhjet lokale, Sokol Olldashi tha: “Në qoftë se kryesia do të më japë mandatin për të përfaqësuar Partinë Demokratike në Tiranë, unë do ta bëj me të gjithë dëshirën. Shpresoj që do të ma japin. Nuk do të doja të bëja asnjë koment për këto çështje, pasi përsa kohë edhe një forum, sikurse është kryesia e PD-së, nuk e ka thënë fjalën e fundit, unë nuk do të doja komente për çështje etike. Nuk do të doja ta përdor këtë emision për fushatë elektorale, është ende herët”.

Por a do të dorëhiqet Olldashi nga posti i tij si ministër i Brendshëm për të kandiduar në zgjedhjet lokale? Sokol Olldashi theksoi: “Unë do të bëj veprime në përputhje me moralin tim dhe ju siguroj që morali im është krejt i ndryshëm nga ai i Haxhi pishmanit të bashkisë. Detyrimi ligjor është që unë të lë mandatin e deputetit, ndërkohë që nuk kam detyrim ligjor për të lënë postin e ministrit të Brendshëm”.

Pjesëmarrja në politikë ka brenda elementët e karrierës dhe ambicies, që janë gjëra normale, por nuk është vetëm kaq. Pjesëmarrja në politikë duhet të jetë një princip dhe një pasion. Pavarësisht se në politikë njerëzit priren të jenë pragmatistë, janë disa gjëra që njerëzit duhet t’i bëjnë me shpirt dhe jo vetëm me makinë llogaritëse në dorë”.  

Kandidatura e tij e mundshme përballë kryetarit të Bashkisë Tiranë, Edi Rama, nuk e shqetëson aspak Sokol Olldashin, pasi është i bindur në fitoren e tij.

“Zoti Rama është një kandidat, nëse është i fortë apo i dobët kjo do të shihet. Po ta hapim atë thes zoti Rama del që nuk ka fituar asnjë herë në Tiranë. Unë e kam provuar që s’kam asnjë shqetësim në përballjen me të. Unë nuk besoj se do të fitoj, por jam i bindur!”,  theksoi ministri Olldashi.

Ministri i Brendshëm foli edhe për situatën e rendit në Shqipëri, e cila sipas tij, është përmirësuar ndjeshëm, çka ka ndikuar pozitivisht edhe në procesin e liberalizimit të regjimit të vizave./tvklan.al