Shoqatat e biznesit angazhohen për mbledhje fondesh 

Udhëtimi për në Tiranë për Alleksandar Radovanoviç, kishte qenë një gjë e zakonshme biznesi. Për lidhjet ekonomike përfaqësonte Dhomën e Tregtisë së Serbisë nga zyra për rajonin.

Por në mbrëmje, axhenda e tij kishte ndryshuar. I gjendur në një kat të lartë në një hotel në qendër të kryeqytetit shqiptar, ai kishte menduar se godina po lëvizte 3-4 metra para mbrapa. Ende i duket e pabesueshme dhe nuk i beson ekuilibrit.

“Në ato momente nuk kishe kohë as të kishe frikë dhe vetëm mendoja sa i fuqishëm ishte. Gjithçka nisi të binte, dhoma tundej. Mendoja vetëm nëse do të rezistonte apo jo ndërtesa. Më pas mora shumë telefonata pasi e dinin që isha në Tiranë. Kam bërë qindra raportime në media për situatën. Ende më duket sikur diçka po dridhet”.

Tani Radovanoviç i ka duart plot punë pasi me të kthyer ka nisur fushatën për grumbullimin e fondeve në mbështetje të Shqipërisë. Dhoma e Tregtisë së Serbisë aktivizoi shumicën e dhomave të rajonit dhe tani kanë kërkuar nga 10 mijë biznese vetëm në Serbi që të japin donacione.

“Ka një interesim shumë të madh dhe solidaritet nga qytetarët, mediat dhe bizneset e Serbisë për këtë situatë dhe duan të japin ndihmë”. 

Shtypi serb ka qenë i fokusuar tek çështja e tërmetit. Kësaj radhe duket se janë harruar inatet e vjetra. Millica Antic, me kolegët janë një nga grumbulluesit e fondeve për Shqipërinë. Përveç gjërave të ndryshme organizata ku ajo punon ka iniciuar në Serbi fushatë donacionesh në internet.

“Unë besoj se ka shumë njerëz me zemër të mirë dhe e ndjejnë dhimbjen e njerëzve atje. Natyrisht gjithmonë ka edhe njerëz të këqij dhe komente, por ne besojmë se jemi të orientuar drejt atyre që e kuptojnë se tragjedia është e njëjtë pavarësisht se ku ndodh ajo”.

Përveç Luginës së Preshevës ku janë bërë dhjetëra pika të grumbullimit të ndihmave, në kryeqytetin serb janë aktivizuar disa pika në organizime të ndryshme.

Tv Klan