Solidariteti i Tiranës

Solidariteti i Tiranës

11:38 04/06/2019

Ashtu siç lajmëroi ditën e djeshme nga xhamia e Nazmagjasë, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me stafin e emergjencave dhe vullnetarë, u organizuan në një fushatë bamirësie për të mbledhur ndihma për banorët e prekur nga tërmetet në Korçë. Në ditën e shenjtë të Fiter Bajramit, me qindra qytetarë u solidarizuan që në orët e para të mëngjesit, duke mbushur tre kamionë të mëdhenj me ushqime, veshmbathje, të cilët u nisën drejt Korçës, në ndihmë të familjeve të prekura nga tërmeti.

“Ne në Tiranë besojmë tek parimi: Një për të gjithë, të gjithë për një! Sot Korça është në një situatë të vështirë, por nesër mund të jemi ne, e të na gjendet Korça. Ndaj, dua të falenderoj të gjitha familjet që iu përgjigjën në kohë rekord mbushjes së tre kamionëve, që do të nisen për në qytetin e Korçës”, tha Veliaj.

Edhe vetë kryebashkiaku dhe bashkëshortja e tij kontribuan me ndihma për të prekurit. “Unë dhe Ajola, si prindër të një bebi të vogël, kishim më shumë merak për fëmijët e vegjël. Ndihma jonë është modeste, kryesisht qumësht, panolina, biberonë dhe nevojat higjienike që mund të ketë për fëmijët aty, por nëse do të ketë nevoja të tjera, do i adresojmë sipas mesazhit që na jep ekipi ynë i emergjencave që është bashkuar atje”, tha ai.

Stenda e vendosur para Bashkisë së Tiranës do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë ditës dhe kushdo mund të japë ndihmën e tij. “Kemi vendosur që ta mbajmë stendën të hapur gjatë gjithë ditës. Njerëzit kanë festën e Bajramit, është një mundësi e mirë për sevap, për ndihmë dhe pak solidaritet, ndaj pasi mbarojnë ceremonitë, drekat apo të gjitha pritjet e përcjelljet në institucionet e besimit, secili mund të bëjë një ndalesë të vogël tek Bashkia e Tiranës dhe të japë kontributin e vet”, nënvizoi Veliaj.

Por, ndihma e Bashkisë së Tiranës nuk konsiston vetëm në pakot me ushqime dhe veshmbathje. Një grup emergjencash janë nisur drejt qytetit të Korçës për të ndihmuar në kapërcimin e kësaj situate.

Veliaj dha lajmin e mirë se një nga vendimet e para të Këshillit të ri Bashkiak, do të jetë një fond për ndërtimin e disa shtëpive në Korçë. “Ndoshta nuk i ndërtojmë dot të gjitha, qeveria do të bëjë të vetën, Bashkia e Korçës po ashtu, por ne, si Bashki e Tiranës, duam të marrim një numër shtëpish që t’i ndërtojmë si dhuratë e qytetarëve të Tiranës. Do përgatisim një fond solidariteti për ndërtimin e shtëpive dhe besoj se do të jetë në nderin e Këshillit të ri Bashkiak të Tiranës, që t’i përgjigjemi jo vetëm me ndihmat personale, por edhe me një ndihmë institucionale”, tha ai, teksa kërkoi që kjo frymë solidariteti në këtë muaj të shenjtë të vijojë edhe në 11 muajt e tjerë të vitit.

“Sikur secili prej nesh ta përqafonte frymën e këtij muaji në të 11 muajt e mbetur të vitit, atëherë realisht do të kishim një vend më të mirë. Nuk mund të jemi solidarë vetëm për Ramazan dhe pastaj e kalojmë rrugën nga KMSH-ja deri te Parlamenti duke qëlluar me gurë njëri-tjetrin; nuk mund të flasim për vëllazëri dhe të shkojmë në stadium edhe të ‘theremi’ me njëri-tjetrin; nuk mund të flasim për paqe sociale dhe të kthehemi në shtëpi e të rrahim gratë. Prandaj, ky është një apel për të kuptuar që këtë frymë të mirë duhet ta mbajmë 11 muaj për një shoqëri vërtetë moderne, europiane dhe me vlera të shëndosha”, theksoi Veliaj.

Romina Kuko, e cila është kandidate për Këshillin Bashkiak të Tiranës dhe njëherësh zv. Ministre e Brendshme, tha se kjo nismë tregon frymën e solidaritetit për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Kuko theksoi se  Këshilli Bashkiak ka një rol shumë të rëndësishëm në vendimet që do të marrë. “Përgjigja ka qenë në kohë rekord, edhe nga autoritetet vendore, duke ngritur Shtabin e Emergjencës, por ndërkaq një element i rëndësishëm që duhet thënë është ndihma e dhënë nga Shtabi i Emergjencave dhe vullnetarët e qytetit të Tiranës, ç’ka tregon frymën e solidaritetit për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Nisma e sotme për të ofruar ndihma për banorët e Korçës nga qytetarët e Tiranës shkon në frymën e solidaritetit që ky qytet përcjell në Shqipëri”, shtoi Kuko.

Drejtoresha e Shërbimit Social në Bashkinë e Tiranës, Anisa Ruseti theksoi se që në ditën e parë Bashkia e Tiranës ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritet në Korçë për të kontribuar. “Vëmendja jonë shkon për të gjithë qytetarët e Korçës, që kanë pasur nevojë për disa ndihma nga banorët e Tiranës. Nga dje, kur kryetari i Bashkisë ka bërë thirrje për gjithë qytetarët, një pjesë shumë e madhe e tyre kanë sjellë jo vetëm gjëra të cilat i kanë në banesat e tyre, por janë drejtuar edhe drejt dyqaneve duke blerë gjëra të reja, për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve”, tha Ruseti.

Drejtori i Përgjithshëm në Drejtorinë e Objekteve në Bashkëpronësi, Erind Bejko, shtoi se ndihma do të vijojë edhe në ditët në vijim, si në ushqime dhe veshmbathje, ashtu edhe me grupe të shërbimit social dhe shëndetësor./tvklan.al




Grupi
LAJMET
Të ngjashme


Grupi