Miliona ukrainas largohen nga vendi i tyre në luftë. Në Gjermani, në shtetin perëndimor të preferuar, ata po i mirëpresin. Mikpritja të kujton vitin 2015, por ka dallime, shkruan Auron Dodi.

Refugjatët e luftës nga Ukraina po priten në Gjermani me një solidaritet impresionues. Me gatishmëri të madhe ata po i mirëpret si popullsia, ashtu edhe strukturat shtetërore, landet dhe komunat.

Persona privatë me tabela në duar ofrojnë në stacionet e trenit apartamente banimi për të ardhurit; komunat hapin sallat e bashkive për të strehuar refugjatët; punonjës bashkiakë aktivizojnë qendrat e para të pranimit të refugjatëve, të vitit 2015; gjermanë të thjeshtë organizojnë fqinjët dhe mbledhin rroba e sende të jetës së përditshme për refugjatët; pensionistë që ofrohen për të ndihmuar në qendrat e mbledhjes së refugjatëve. Një dinamikë e zakonshme këto ditë në shumë qytete gjermane.

Sipas ministrisë së Brendshme të Gjermanisë, deri sot në Gjermani kanë ardhur mbi 283.000 refugjatë lufte nga Ukraina. Numri i të ardhurve mund të jetë faktikisht edhe më i madh, pasi ukrainasit kanë të drejtë të vijnë pa vizë në Gjermani. Si të tillë ata nuk janë të detyruar të regjistrohen. Por tani shumica po regjistrohen që të marrin ndihma nga shteti gjerman.

Në Gjermani, refugjatët e luftës nga Ukraina mbërrijnë kryesisht në Berlin dhe në Hamburg, prej andej shpërndahen në pjesë të tjera të Gjermanisë. Për një periudhë kohe, në Berlin mbërrinin deri 10.000 refugjatë lufte në ditë.

Mbështetje e strukturuar për refugjatët nga Ukraina

Shteti gjerman ka vënë në dispozicion të të ardhurve strehime, oferta për kualifikim, ushqim, ndihma sociale. Federata dhe landet diskutuan të premten (01.04.) me kancelarin Olaf Scholz për ndarjen e shpenzimeve të konsiderueshme. Për refugjatët e traumatizuar ka oferta për trajtim psikologjik. Shumë ndihmës për refugjatët janë sensibilizuar që të dallojnë refugjatët me shenja traume nga lufta, për t’u ofruar atyre pastaj trajtim të veçantë.

Pjesa më e madhe e të ardhurve janë gra me fëmijë. Ekspertët e arsimit vlerësojnë se të paktën një e treta e refugjatëve nga Ukraina në Gjermani janë fëmijë ose adoleshentë. Ata do të kenë nevojë për shkollë ose për kopshte ditore.

Shkollat në lande të ndryshme të Gjermanisë po ngrejnë klasa mikpritjeje për fëmijët nga Ukraina. Në këto klasa bëhen përpjekje që refugjatët ta mësojnë gjermanishten sa më shpejt që të jetë e mundur, që më pas të integrohen në klasa të rregullta. Në Berlin, p.sh. në shkollat publike të këtij landi ka tashmë 50 klasa të tilla. Në Bavari janë ngritur “grupe edukative të mirëseardhjes”.

Edhe në kopshtet ditore po punohet që të zgjerohet oferta. Ka qytete, ku përkujdesjen për fëmijët e marrin përsipër vetë gra refugjate nga Ukraina. Shumë të rëndësishme për qëndrimin në Gjermani janë njohuritë e gjermanishtes. Autoritetet shohin një nga detyrat kryesore për integrimin, zgjerimin e ofertës me kurse të gjermanishtes, për të ardhurit.

Ukrainasit marrin leje pune

Në dallim nga refugjatët e viteve 2015/2016, ukrainasit kanë të drejtë të punojnë menjëherë. Për herë të parë, në rastin e Ukrainës Bashkimi Evropian aktivizoi të ashtuquajturën „direktivë të fluksit masiv”. Si rrjedhim, refugjatët nga Ukraina mund të qëndrojnë në BE deri në tre vjet, pa shtruar kërkesë për azil. Ata marrin menjëherë edhe një leje pune.

Kompanitë gjermane kanë postuar mijëra oferta pune, në portalet e ndërmjetësimit të punës në internet. Ofrojnë punë dhe praktika për refugjatët nga Ukraina. Kërkohen punonjës me kualifikime të ndryshme, si zhvillues të programeve kompjuterike Java dhe Cloud, ashtu edhe infermierë, luleshitës, kuzhinierë e shoferë kamioni.

Integrim më i shpejtë i ukrainasve

Sa do të qëndrojnë refugjatët nga Ukraina në Gjermani, kjo nuk dihet.

Për ata që do të qëndrojnë, sipas Institutit kërkimor Empirica, integrimi do të jetë më i shpejtë si i emigrantëve të tjerë. Në një studim në mes të marsit, ky institut përshkroi nivelin e lartë arsimor të të ardhurve, “veçanërisht të femrave.” Edhe ministri gjerman i Punës, Hubertus Heil tha se gjysma e të ardhurve kanë mbaruar shkollat e larta, sjellin kualifikim akademik.

Për këtë arsye Agjencia Federale e Punës dhe Dhomat e Tregtisë po përpiqen së bashku që këta njerëz të mos përfundojnë në punë të nivelit të dytë, p.sh. duke lehtësuar njohjen e diplomave të të ardhurve. Diplomat e refugjatëve shpesh nuk janë të barazvlershme me diplomat gjermane. Vështirësi paraqet edhe fakti që një pjesë e të ikurve nuk kanë marrë dot me vete dokumenta.

Ritmet e ardhjes janë ngadalësuar

Sipas Organizatës së refugjatëve të OKB-së, UNHCR, deri sot nga Ukraina janë larguar katër milionë vetë. Shumica e të larguarve kanë qëndruar në shtete pranë Ukrainës. Rreth 1 milion prej tyre kanë vazhduar rrugën drejt Perëndimit, njoftoi Komisioni Evropian. Por ndërkohë, nga Ukraina po largohen më pak refugjatë. Aktualisht, Ukrainën e braktisin rreth 40.000 vetë në ditë. Shifra më e lartë e largimit ka qenë 200.000 vetë në ditë. Në disa zona kanë filluar edhe kthimet e para të të ikurve.

Dallime me valën e refugjatëve të 2015-ës

Në vitin 2015, mikpritja në Gjermani për refugjatët fillimisht ishte e madhe. Pastaj atmosfera ndryshoi. Prandaj vëzhguesit shtrojnë pyetjen a mund të përsëritet edhe me refugjatët e luftës nga Ukraina një fenomen i tillë.

Ka disa dallime nga situata e vitit 2015. Në vjeshtën e vitit 2015 refugjatët u pritën me duartrokitje kur mbërritën në Gjermani. Por vërshimi i refugjatëve, kryesisht nga Siria dhe Afganistani, vazhdoi pa u ndalur, duke kaluar shifrën e 850.000 vetëve. Goditje të fortë, entuziazmi mori veçanërisht pas sulmeve seksuale në stacionin kryesor të trenit të Këlnit, natën e vitit të ri 2015/2016. Edhe debati politik në Gjermani, deklaratat e disa politikanëve, ndikuan atëherë në pakësimin e mbështetjes për refugjatët. Prandaj rol vendimtar në kulturën aktuale të mikpritjes do të luajë qëndrimi i mëtejshëm i politikës.

Refugjatët e luftës nga Ukraina dallohen nga refugjatët e viteve 2015/2016. Ukrainasit janë evropianë. Në pamje fizike dhe pikëpamje kulturore ata janë më të afërt me popullsinë e vendeve të BE, edhe të Gjermanisë, ku vijnë. Një nga elementët ku vërehet dallimi kulturor me refugjatët e viteve 2015/2016 është p.sh. edhe ndarja tipike e roleve në familje. Shumica e femrave ukrainase që vijnë tani e kanë të natyrshme të punojnë. Në këtë mënyrë edhe bashkëjetesa është më e lehtë.

Ukrainaisit nuk janë të panjohur në Gjermani. Sidomos prej vitit 2014, në Gjermani kanë ardhur shumë prej tyre. Ata kanë krijuar në Gjermani një komunitet prej rreth 300.000 ukrainaisish.

Edhe autoritetet gjermane kanë mësuar nga përvoja e vitit 2015. Koncepti i trajtimit të të ardhurve është përmirësuar. Të ardhurit trajtohen tani në mënyrë integrative. Në vitin 2022 nuk pritet sa refugjatët të kenë mësuar njëherë gjermanishten dhe pastaj të nisin hapat e tjerë. Por në Jobcenters, në qendrat e punësimit, punohet me ritëm dhe punohet paralelisht: për gjetje strehimi, për situatën familjare dhe për integrimin kulturor njëkohësisht./DW