Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Europian, Igor Soltes thotë se samit i Sofjes përcolli mesazhin, se nuk duhet të presim edhe 10 vjet të tjera për të folur për Ballkanin, por mund të bëjmë vlerësimin e progresit çdo vit.

“Samiti i Sofjes është i rëndësishëm pasi përçoi mesazhin, se Bashkimi Europian është i hapur ndaj Ballkanit dhe se procesi i integrimit është një proces me dy kahe. Ne mund të ofrojmë asistencën financiare, mbështetje për zhvillimin ekonomik dhe social, praktikat më të mira, fonde për projekte konkrete në rajon. Por nga ana tjetër vendet duhet të përgatiten për ta adaptuar rregullat e Bashkimit Europian dhe kryesisht ato lidhur me forcimin e shtetit ligjor, si kusht thelbësor për forcimin e demokracisë në vendet e Ballkkanit”.

Soltes komenton edhe akuzat e ndërsjella mes Prishtinës dhe Beogradit për mosrespektim të marrëveshjeve të nënshkruara deri tani.

 

“Kjo është si libri: “Asgjë e re në Ballkan”. Është shumë e rëndësishme që dialogu të vazhdojë dhe shpresoj që raundi i ri të zhvillohet në fillim të muajit të ardhshëm. Duhet që të dyja palët të ulen në tryezë dhe të gjejnë një zgjidhje të pranueshme. Duhet të kuptoni në gjë: Vitin e ardhshëm, këtu në Parlamentin Europian ne kemi zgjedhjet parlamentare europiane. Kjo do të thotë që ne nuk do kemi të njëjtin fokus te vendet e Ballkanit. Ndaj është shumë e rëndësishme që para kësaj etape të realizohen dy gjëra. Së pari, të bëhet liberalizimi i vizave, që është shumë i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës dhe së dyti të vazhdojë dialogu me Beogradin për të gjetur një konsensus minimal.

Soltes thotë se është përpjekur të bindë Komisionin Europian për liberalizmin e vizave me Kosovën pasi qeveria e Prishtinës ka përmbushur kushtet e vëna që lidheshin me demarkacionin dhe luftën ndaj krimit e korrupsionit.

Tv Klan