Forcimi i grupimeve nacionaliste dhe populistëve të djathtë rrezikon të zhysë në kaos marrëdhëniet mes vendeve europiane dhe t’a bëjë më të pasigurtë të ardhmen e unionit. Ky është paralajmërimi që jep në një analizë të saj e përditshmja gjermane ‘Die Zeit’, që i bën konfigurimit të ri të Parlamentit Europian, para zgjedhjeve të Majit të vitit të ardhshëm.

Aleanca për Europën e Kombeve dhe Lirisë, ku bëjnë pjesë nacionalistët francezë të Marine Le Pen, italianët e Lega Nord të Mateo Salvinit dhe radikalët e djathtë në qeverinë austriake pritet të shndërrohen në forcë të katërt politike në rang europian. Sondazhet parashikojnë që ata të dyfishojnë në 63 numrin e eurodeputetëve.

Por sipas analizës së gazetës gjermane ‘Zeit’, sa më shumë që ata përfaqësohen në qeveritë europiane, aq më shumë shtohet edhe mungesa e besimit mes anëtarëve të unionit. Populistët e djathtë po ndjekin modelin e Donald Trump, i cili prish çdo lloj marrëveshje që nuk i pëlqen. Dhe sa më shumë ata të forcohen në Europë, aq më pak do të arrijnë ata të bëjnë kompromise, duke shtuar më shumë konfliktet mes qeverive nacionaliste që shtohen gjithnjë e më shumë nëpër kontinent.

Tv Klan