Amerikanët po shfaqen gjithnjë më të pakënaqur me vendimet e presidentit Donald Trump. Kjo konstatohet nga sondazhi më i fundit i kryer nga agjencia e lajmeve Reuters, që rezulton në nivelin më të ulët që nga rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Rreth 42% e të anketuarve mbështesin vendimet e Trump si president, nga 43% tre javë më parë dhe nga 47% që ishte pas inaugurimit të tij më 20 Janar.

Shumë kundërshtarë politikë kanë mbetur të habitur nga aktet e presidentit, pasi Trump ka nënshkruar dhjetëra urdhra ekzekutivë duke zgjeruar ndikimin e tij si mbi departamentet qeveritare ashtu edhe mbi institucionet private dhe firmat ligjore.

Ata nuk pajtohen edhe me sulmet që Trump kryen ndaj botës akademike dhe kulturës, siç është edhe vendimi për të ndëshkuar universitetet.

Rreth 83 përqind e 4,306 të anketuarve thanë se presidenti duhet t’u bindet vendimeve të gjykatës federale edhe nëse nuk ai dëshiron. Ndërsa 59% e të anketuarve mendojnë se SHBA po humb besueshmërinë në skenën globale.

Sakaq tre të katërtat e të anketuarve shprehen se Trump nuk duhet të kandidojë për një mandat të tretë në detyrë. Një dëshirë që presidenti amerikan e ka shprehur, ndonëse Kushtetuta e SHBA ia ndalon një gjë të tillë.

Tv Klan