Artistët më të mirë, në garë për trofeun e madh

Me përkushtimin deri në detaj, festivalin më të madh të muzikës moderne, Ardit Gjebrea arriti ta kthente në ndërkombëtar. Ndërsa sot, pak orë para finales së madhe të Këngës magjike, na zbulon një tjetër etape të saj.

Ndonëse me vështirësi të shumta emocionale pas tërmetit që tronditi gjithë Shqiptarët, atë që ishte misioni i këtij edicioni “Këndo për të ndërtuar” janë duke e çuar drejt fundit, në formën më të mirë.

Pas mbylljes së konkurrimit në dy netë që përforcuan suksesin e këtij festivali, vetëm disa këngë kaluan në finale, pas votimit të jurisë, vetë këngëtarëve dhe publikut.

Në pritje të finales, muzika, tekstet dhe interpretimet kanë arritur të përfshijnë këdo. Për Olsi Bylykun suksesi qëndron në mesazhin që ka një këngë. E nëse suksesi qëndron tek mesazhi, duket se Khuba është një pretendent i fortë.

“Ndryshe” vjen si një përjetim personal i artistit të ri, tashmë në finale. U njoh me Këngën Magjike, nga Klaudia Pepa, por Fabrizio Prolli, koreograf dhe balerin italian, na vërtetoi që kush e prek magjinë e skenës së këtij festivali, nuk mund t’i ndahet më asaj.

Këtë vit, ai interpreton me grupin e tij në këngën “Ma zgjat dorën” të Eneda Tarifës.

“Kënga magjike vitin e kaluar na ka habitur. Nuk e njihnim këtë festival. Por gjetëm një profesionalitet të teknikëve, të kameramanëve, atyre që punojnë me ndriçimin, të vetë Arditit që nuk e njihnim dhe që na ka lënë pa fjalë”, tha ai.  

Gjithë ekipi i Këngës Magjike është angazhuar në provat e fundit për ta elektrizuar edhe këtë natë finale skenën madhështore të Pallatit të Kongreseve, në këtë edicion të 21-të, që vjen drejtpërdrejtë në ekranin e Televizionit Kombëtar Klan.

Tv Klan