U këndua, u kërcye, madje edhe u qa nga emocionet e shumta, por Ardit Gjebrea lë të kuptohet se nuk kemi parë asgjë akoma, nga magjia e këtij edicioni të 20-të, të “Këngës Magjike”.

“Jemi në finish dhe në finish ndonjëherë ose ti i ke ruajtur të gjitha forcat për në fund, ose nuk ke fuqi fare. Ne i kemi ruajtur të gjitha forcat për sot dhe padyshim që do të jetë një super spektakël. Do të ketë shumë ritëm. Unë sonte do të këndoj, por nuk do të jem vetëm, do të jem me një duet që është shumë specifik dhe më pas do të ketë edhe një numër surprizë, që besoj do të jetë më emocionuesi i mbrëmjes, sepse profesionalisht ne kemi dhe Klaudian, e cila ka ruajtur edhe ajo armën e saj të fortë. Një numër shumë të bukur koreografik sëbashku me balerinët e Canale 5.”

Për dy netë me radhë “Kënga Magjike”, elektrizoi skenën madhështore të Pallatit të Kongreseve, duke tërhequr vëmendjen edhe jashtë vendit.

“Ajo që mua më ka bërë përshtypje është jehona që ka patur, sepse sot kanë ardhur edhe përfaqësues të rrjeteve sociale nga Eurosong dhe në Wiwi blog, që është më i rëndësishmi pranë Eurosong, ka pasur një pasqyrim të jashtëzakonshëm të Këngës Magjike.”

Pas mbylljes së konkurrimit dhe performancave në dy netët e para të “Këngës Magjike”, këngëtarët iu drejtuan votimit për të vendosur me pikët e tyre, se cilët do të ishin 20 finalistët.

Nën drejtimin e Ardit Gjebreas, që shoqërohet nga Klaudia Pepa dhe Bora Zemani, gjithashtu dhe nga prezantueset e viteve të shkuara si Valbona Selimllari, Elia Zaharia, Olta Gixhari dhe Armina Mevlani, nata finale e “Këngës Magjike” ka angazhuar gjithë ekipin e festivalit më të madh të muzikës moderne, për ta bërë akoma më madhështor këtë edicion të 20, që vjen drejtpërdrejtë në ekranin e Televizionit Kombëtar Klan.

Tv Klan