Nis sonte në orën 21:00 sezoni i dytë i “Doktor Plastik” në Tv Klan. Bëhuni gati të njiheni me personazhe të rinj dhe histori, të cilat do ju mbajnë të mbërthyer përpara ekranit.

Të ftuara në emisionin “Ditë për ditë” në Tv Klan për të rrëfyer disa detaje më shumë, ishin autorja Elda Laze dhe moderatorja Kiara Tito.

Sezoni i ri do të vijë me disa risi, ndër të cilat mund të theksojmë përfshirjen më të gjerë të prapaskenave. Autorja Elda Laze nuk u mjaftua me kaq, pasi kishte rezervuar për ne dhe një lajm ekskluziv. Doktor Plastik do të ketë edhe një sezon të tretë!

“Do të kemi histori të reja, personazhe të rinj, një Kiarë të mrekullueshme me një look të ri. Po ashtu kemi futur edhe backstage sepse kanë qenë të nevojshme sepse realisht ndonjëherë të del situata jashtë kontrollit kur ke të bësh me personazhe që vijnë pa informacionin e duhur lidhur me operacionet plastike. Ka pasur raste që kanë bërë edhe doktorin dyshues nëse janë gati për t’i bërë këto ndërhyrje. Ne i kemi pasur idetë e qarta që në fillim se çfarë do të bëhej, kishim një vizion dhe nuk do ta ndryshojmë sepse pati sukses sezonin e parë. Ndryshimet do të jenë tek operacionet dhe tek personazhet për të sjellë ndryshime edhe më të forta se vitin e kaluar. Vitin e kaluar ne vinim me një risk sepse nuk dinim se si do të reagonin personazhet dhe as se si do ta priste publiku. Ne e kemi marrë me shumë përgjegjësi, kemi pasur përgjegjësi tek sezoni i parë, tek i dyti po ashtu dhe njëlloj përgjegjësi do të kemi edhe tek sezoni i tretë”, tha Laze./tvklan.al