“Rritet besimi te drejtësia, problem korrupsioni”

Paketën Anti-KÇK e quan çelës për t’u anëtarësuar në BE. Por ambasadori Luigi Soreca paralajmëron edhe njëherë se i gjithë procesi i zbatimit po monitorohet ngushtësisht nga ndërkombëtarët.

“Është qasja e duhur dhe praktika që kam parë në vende të tjera. Anti-KÇK është çelësi për të hyrë në BE. Qasja të ndjekësh paratë është mënyra më e mirë për të luftuar krimin e organizuar. Mendoj se ky është drejtimi i ligjit KÇK që tregon gatishmërinë politike për të adresuar problemin. Por, më e rëndësishme është zbatimi i këtij ligji, është kyç. Shohim dy kushte kryesore, që e drejta themelore e palëve të respektohen plotësisht, pra të subjekteve a personave që janë nën hetim, si dhe asetet të sekuestrohen e konfiskohen, por duhet respektuar procesi i duhur ligjor. Do ta monitorojmë këtë, po i shohim nga afër këto hapa. Do flas edhe me SPAK pasi duhet të konfirmojë të gjithë veprimet e marra nga policia dhe t’ia kalojë gjykatës për të marrë vendimin e fundit”.

Në ndihmë të procesit te integrimit, sipas ambasadorit Soreca ,vijnë edhe të dhënat e publikuara së fundmi në sondazhin e bërë nga IPSOS lidhur me perceptimin e shqiptarëve mbi të ardhmen e tyre europiane.

“Ulja e korrupsionit siç e shihni është në të njëjtat shifra si vjet. Ka një rritje të besimit tek Reforma në Drejtësi dhe çështje që kanë të bëjnë me stabilitetin dhe rendin publik. Me këto shifra ne besojmë se edhe politika do të duhet të bëhet bashkë për të ardhmen e saj europiane. Ne jemi të kënaqur që situata ka ndryshuar nga viti 2019 me Reformën Zgjedhore ku tashmë palët kanë nisur të punojnë”.

Pavarësisht sondazheve që tregojnë se për Shqipërinë nuk ka plan B veç integrimit europian, ambasadori Soreca, duke shpjeguar metodologjinë e re të zgjerimit tha se po synohet që ky proces të bëhet më i parashikueshëm, duke plotësuar njëherazi edhe pritshmëritë e vendeve anëtare, e veçanërisht atyre skeptike.

“Është bërë një thirrje e fortë që shtetet anëtare të kenë mundësi të kthejnë pas procesin e negociimit, nëse nuk do të ketë përparësi ose do të ketë hapa pas që do të thotë se BE do të pezullojë dhe ndalojë negociatat nëse kjo do të jetë e nevojshme. Kjo metodologji e re i përmbush të gjitha kërkesat e të gjitha shteteve anëtare, sidomos atyre që ishin skeptike për çeljen e tyre në Tetor, ndaj ne mendojmë se në këtë mënyrë jemi në rrugën e duhur për hapjen e negociatave në Pranverë”.

Ambasadori Soreca u ndal edhe tek çështja e azilantëve, tendencë që sipas tij do të duhet të vijë në ulje nga ana e autoriteteve shqiptare.

Tv Klan