“Duhet të ngrihet një institucion i besueshëm”

Luigi Soreca e vlerëson si të domosdoshme dialogun për të gjetur një zgjidhje për ngërçin e krijuar në Gjykatën Kushtetuese. I ftuar nga Kuvendi të jetë pjesë e hapjes së shkollës së integrimit europian, Soreca nuk pranon të japë receta të gatshme për institucionet kushtetuese, pasi sipas tij zgjidhja gjendet në Kushtetutë. Për BE-në sipas tij e rëndësishme është që reforma në drejtësi të vijojë zbatimin.

“U bëjmë thirrje institucioneve, që të lënë konfliktet për Gjykatën Kushtetuese dhe të ngrenë një institucion të besueshëm. Dialogu është i domosdoshëm në këtë situatë. Më lejoni t’ju them që nuk është roli im t’u jap këshilla institucioneve kushtetuese. Ne jemi këtu për të mbështetur zbatimin e reformës në drejtësi që u miratua në formë unanime në parlament. Është e qartë që kemi interpretime të ndryshme dhe nuk është në dorë të BE-së të bëjë interpretime, por është e rëndësishme që Shqipëria të mos humbasë kohë sepse pikëtakimi do të ndodhë shumë shpejt. Ne u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve të bëhen bashkë dhe në Kushtetutë të gjejnë zgjidhje. Ne japim asistencë teknike dhe nuk mund të vlerësojmë si është zbatuar Kushtetuta”, tha Soreca.

Por mazhoranca duket se nuk e sheh asnjë opsion tjetër veç atij të parashikuar në rezolutën e miratuar nga parlamenti, ku i kërkohej Gjykatës Kushtetuese të njihte si anëtare të saj Arta Vorpsin dhe jo të dekretuarën e presidentit Marsida Xhaferllarin. Taulant Balla kërkon nga kreu i shtetit të reflektojë pasi vendimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është i drejtë sipas tij.

Presidenti ditën e martë ka thirrur në një takim krerët e partive opozitare pikërisht për të diskutuar përplasjen e krijuar për Gjykatën Kushtetuese mes tij dhe mazhorances parlamentare. Po ashtu kreu i shtetit ka lajmëruar se do të presë në takime për të diskutuar për këtë çështje dhe ish-presidentët e vendit dhe përfaqësues të shoqërisë civile që janë përfshirë në procesin e reformës në drejtësi.

Tv Klan