Ambasadori i delegacionit të BE në Shqipëri, Luigi Soreca ka ndjekur procesin e votimit në teatrin Skampa në Elbasan.

Në një prononcim për gazetarët, Soreca tha se Bashkimi Europian po monitoron këtë proces në të gjithë Shqipërinë.

Ambasadori europian u bëri thirrje qytetarëve që të dalin sa më shumë në votime dhe të ushtrojnë të drejtën dhe përgjegjësinë e tyre.

“Është ditë e rëndësishme për Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë që do të ushtrojnë të drejtën që ata kanë për të votuar. Në këtë qendër por edhe në qendrat e tjera e kemi parë që shumë zgjedhës kanë dalë për të votuar dhe kanë hedhur votën e tyre. Kam identifikuar se ka një prirje që sistemi i ri po funksionon. Ka edhe disa probleme teknike por e kam parë vetë që janë zgjidhur shumë shpejt. Thirrja ime për të gjithë shqiptarët është që të shkojnë të votojnë, duhet të ushtroni jo vetëm të drejtën për të votuar por edhe përgjergjësinë që keni për të votuar. Ne po i ndjekim të gjitha zhvillimet nga afër, ne jemi të pranishëm në të gjithë Shqipërinë”, tha ambasadori Soreca. /tvklan.al