Ndërkombëtarët: Të respektohet 5 Qershori

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, ka bërë thirrje që të respektohet marrëveshja e 5 Qershorit. Çdo propozim tjetër për ndryshimet kushtetuese në lidhje me reformën zgjedhore, sipas Soreca-s, duhet të diskutohet në Këshillin Politik përpara se të votohet në parlament.

“Ne përsërisim qëndrimin tonë se marrëveshja e 5 Qershorit, e cila implementoi rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për reformën elektorale, duhet të respektohet. Ne konfirmojmë rëndësinë që çdo propozim tjetër për amandamente në nenet e kodit zgjedhor që shkojnë përtej marrëveshjes së 5 Qershorit, të diskutohen në Këshillin Politik në një mënyrë bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse përpara se të votohet në Parlament”, shkruan Soreca në Tëitter.

Më herët në lidhje me këtë çështje reagoi edhe ambasadorja amerikanë në Tiranë, Yuri Kim. Ajo kërkoi nga palët që t’i qëndrojnë fjalës së dhënë në marrëveshjen e 5 Qershorit, pasi kjo është një çështje nderi. Kim u shpreh se e mirëpriti propozimin e opozitës për reformën dhe gatishmërinë e mazhorancës për ta shqyrtuar atë.

“Ata që kanë nënshkruar atë letër, janë përgjegjës për të zbatuar 5 Qershorin, kështu që pritja ime është që 5 Qershori do të nderohet. Nëse palët do të bien dakord për masa të tjera përtej 5 Qershorit ne do ta mbështesim, por le të shohim se çfarë do të ndodhë. Jam shumë e kënaqur për faktin që opozita jashtë kuvendit ka marrë përgjegjësitë e saj për të qenë e angazhuar, për të vazhduar për të përfaqësuar popullin dhe gjithashtu të gjitha palët, partitë të sjellin propozime të cilat janë reale dhe gjithashtu kundërpropozime që janë reale”, tha ajo./tvklan.al