Në ditën e fundit të legjislaturës së 9 dhe në pritje të nisjes së legjislaturës së re, ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca është takuar me kreun e PD-së, Lulzim Basha.

Soreca thotë në një postim në rrjetet sociale se ka zhvilluar diskutime mbi situatën aktuale politike, integrimin, median dhe reformën në drejtësi me Bashën. Ai shprehet se opozita do të luajë rol të rëndësishëm në legjislaturën e re.

“Në funksion të legjislaturës së re, ku opozita do të luajë një rol vendimtar, ne shkëmbyem mendime mbi situatën aktuale politike pas zgjedhjeve, integrimin në BE, media dhe reformën në drejtësi”.

Në takim ishin pjesë të gjithë krerët e misioneve diplomatike të vendeve të BE-së.

Pas takimit reagoi edhe Lulzim Basha, i cili tha:“Diskutime të frytshme sot me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian. Integrimi Europian i Shqipërisë ka qenë dhe mbetet prioriteti kryesor i Partisë Demokratike, ndaj do të bëjmë gjithçka që vendi ynë të eci përpara në këtë rrugëtim kaq të rëndësishëm për qytetarët tanë. Për ne BE do të thotë votë e lirë, pavarësi e institucioneve, liri dhe pavarësi e mediave, ndarje e politikës nga krimi dhe luftë ndaj korrupsionit. Pa këto nuk mund të ketë as zhvillim, as integrim dhe as demokraci. 25 prilli nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë dhe për Partinë Demokratike nuk mund të quhet një kapitull i mbyllur. Prandaj ne do të kërkojmë deri në fund hetimin e krimeve zgjedhore, ndëshkimin e fajtorëve dhe kthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend”. /tvklan.al