Sorollatet 15 vjet në Gjykata, kërkon të bëjë vetëgjyqësi

Sorollatet 15 vjet në Gjykata, kërkon të bëjë vetëgjyqësi

17:51 14/11/2019

Një çështje prone, edhe pse e thjeshtë në dukje për t’u zgjidhur është kthyer në një sherr mes dy familjeve. Konflikti ka nisur 15 vjet më parë dhe ende nuk ka gjetur një zgjidhje.

Kjo e ka shtyrë zonjën Rudina Mema, 55 vjeçe, nga qyteti i Elbasanit, t’i drejtohet programit “Historia ime”, që të rrëfejë problematikën në lidhje me pronën, por edhe të ndajë shqetësimin e saj si nënë. Duke qenë se familjet jetojnë pranë njëra-tjetrës, konfliktet janë të përhershme dhe mund të përshkallëzohen deri në përleshje fizike.

Pas divorcit me bashkëshortin me të cilin pati dy fëmijë, Mema vendosi të rinisë jetën sërish. 30 vjet më parë, gruaja bashkë me fëmijët shkoi të jetojë nën një çati me partnerin e saj të dytë, me të cilin nuk lidhi kurrë kurorë.

Jetonin të gjithë bashkë në katin e parë të një shtëpie dy katëshe, të cilën partneri e ndante me të motrën. 15 vite më parë, bashkëjetuesi i saj u nda nga jeta, por para kësaj fatkeqësie 55-vjeçarja pretendon se arriti të blinte pronën ku jetonte. Nuk zgjati shumë dhe pas vdekjes së partnerit, ajo e gjen veten në rrugë, pa shtëpi dhe në një konflikt të hapur me familjen e katit të dytë të shtëpisë, ku jetonte familja e motrës së partnerit.

Rudina Mema: Para shumë vitesh, mbas një divorci jam njohur me një njeri, me të cilin nuk pranoja të martohesha, por të bashkëjetonim. Problemet shëndetësore të tij kërkonin që ai të operohej dhe e ndihmova me shumë të madhe lekësh në këmbim të shtëpisë. Dhe prej 10 vitesh, unë kam investuar për atë njeri dhe shtëpinë e kam blerë dy herë, nuk të fal njeri shtëpi. Shtëpinë unë e bleva mbas rregullave, e kishte trashëgimi nga babai i vet, në një kohë që motra ishte në kat të dytë, ishte me derë më vete e kishim komshi.

Mirela Milori: Sa vite bashkëjetuat?

Rudina Mema: 13 vite bashkëjetuam.

Mirela Milori: Si ishin vitet e bashkëjetesës?

Rudina Mema: Ishin të mrekullueshme, e ndërthurëm veten shumë bukur, kishim marrëdhënie të mira, por fati kështu e donte.

Mirela Milori: Pse nuk u martove, por vendose të bashkëjetoje për kaq vite?

Rudina Mema: Nuk më pëlqenin gjyqet, se në fakt jemi dhe anadollakë dhe nuk na pëlqejnë gjyqet. Nuk të mban celebrimi, një po apo një jo, të mbajnë zemrat.

Mirela Milori: I trajtonte mirë fëmijët tuaj?

Rudina Mema: Isha unë katalizatori që i mbaja të gjithë në rregull.

Mirela Milori: Ju patët një bashkëjetesë të mirë.

Rudina Mema: Për fat të keq, ai u sëmur nga zemra dhe vdiq. Vdiq jashtë në Rusi. Në një kohë që kishte nevojë për ndihmë monetare e ndihmon motra e vet në këmbim të çertifikatës së pronësisë. Ky meqë i duheshin ia jep me noter, të rregullt, ia jep tapinë dhe i merr lekët. Mbas ca kohësh, kur unë e marr vesh, thotë do shes shtëpinë dhe do vij në shtëpinë tënde se motra më kërkon lekët dhe unë s’kam, të shes shtëpinë dhe e kompesoj. Jo i thashë, ti s’mund të vish dhëndër në shtëpinë time, ti do rrish tek shtëpia jote dhe do ta paguaj unë. U likuidua me të motrën, u kthye tapia në gjendjen e mëparshme.

Mirela Milori: Gjatë bashkëjetesës, si kanë qenë marrëdhëniet me motrën e bashkëjetuesit?

Rudina Mema: Të mira shumë, deri mbas vdekjes së tij. Një muaj pas vdekjes plasi konflikti dhe më nxorrën me polici përjashta.

Mirela Milori: Kur e bletë ju shtëpinë?

Rudina Mema: Para vdekjes. Kur unë e kam blerë shtëpinë dhe nuk kishte bashkëtrashëgimtarë.

Mirela Milori: Si rrjedh më tej situata?

Rudina Mema: Më nxjerrin me polici përjashta.

Mirela Milori: Kush?

Rudina Mema: Kunati.

Mirela Milori: Me çfarë urdhi ju nxjerrin?

Rudina Mema: Pa urdhër se ishte shteti dhe kishte fuqi pushtetari, se këta janë me pushtet dhe unë dola me dy bebat në mes të katër rrugëve.

Zonja Mema pretendon se ka patur kontratë për katin e parë të shtëpisë dykatëshe për shkak se e ka blerë nga bashkëjetuesi. Pas nxjerrjes nga shtëpia, Rudina i është drejtuar Prokurorisë për të kërkuar të drejtën e saj të pronësisë. Atë periudhë ka jetuar fillimisht tek një shtëpi e vogël që ajo ka pasur, por që për shkak të vështirësive ekonomike është detyruar ta shesë dhe ka shkuar të jetojë tek prindërit. Pas vdekjes së prindërve, ajo ka jetuar me qira.

Mirela Milori: Vazhduat gjyqet?

Rudina Mema: Gjyq mbas gjyqi, tek shkalla e parë humba, u rrëzua kontrata e shitjes pa asnjë shkak. Këtu fillon kalvari. Të gjithë gjyqtarët që merrnin çështjen time ngriheshin në pozitë. Ata ishin të fuqishëm ekonomikisht dhe politikisht. Unë isha e pambrojtur, pa asnjë gjë. Vazhdoi kalvari i gjyqeve deri në Gjykatën e Lartë.

Mirela Milori: Kush është gjyqi i fundit?

Rudina Mema: Tek Gjykata e Apelit, të cilën kanë një muaj e gjysmë që se formulojnë dot.

Mirela Milori: Është një njeri me pushtet, njeriu përballë teje?

Rudina Mema: Po!

55-vjeçarja nuk pranon të heqë dorë nga shtëpia dhe nëse kjo çështje nuk zgjidhet nga institucionet, ajo kërcënon se do të bëjë vetëgjyqësi.

Rudina Mema: Unë shtëpinë nuk e liroj, se e kam blerë me gjak një jetë të tërë që kam punuar. Për ata fëmijë që i kam rritur jetimë dhe tani që më është rritur çuni unë jam bërë me dy krahë, jam bërë familje e madhe. Djali thotë do marr dhe do iki në shtëpi, le të vijë policia të vritet me mua. Unë jam nga ato gra heroina, që nuk e lë djalin të më iki, të më vritet, por do hyj vetë. Ultimatumin nga fëmijët që po më braktisin, e kam deri për vitin e ri. Unë natën e Vitit të Ri do e bëj në shtëpinë time, gjallë ose vdekur, këtë ta gjejë shteti.

Në një lidhje telefonike, pala e akuzuar pretendon se në vitin 2010 është blerë kati i parë i shtëpisë dhe hedh poshtë akuzën se ajo është nxjerrë nga shtëpia me anë të policisë, madje pretendon se ajo nuk ka jetuar asnjë ditë në atë shtëpi.

Zonja nuk ka dalë nga kjo shtëpi me polici. Ajo gënjen aty kur thotë që më kanë nxjerrë nga shtëpia me polici. Ajo nuk jetuar asnjë ditë në atë shtëpi, asnjë orë. Nuk ka bashkëjetuar ajo me atë. Në një shtëpi që s’ke jetuar kurrë nuk mund të thuash që më nxorrën”./tvklan.al




Grupi
LAJMET

Të ngjashme


Grupi