Sot afati i fundit për verifikimin e kandidatëve për deputetë



Sot afati i fundit për verifikimin e kandidatëve për deputetë

12:44 20/01/2021

Gjashtë institucione kanë edhe sot kohë që të verifikojnë listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 14 Shkurtit.

Shkresa të veçanta për të verifikuar përshtatshmërinë e kandidatëve për deputetë i janë dërguar Policisë së Kosovës, Ministrisë së Mbrojtjes, Agjencinë Kosovare për Inteligjencë, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në një prononcim për klankosova.tv ka konfirmuar dërgimin e këtyre shkresave.

“Janë dërguar në 6 institucione shkresa të veçanta për të kërkuar konfirmimin e përshtatshmërisë së kandidatëve me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Këtyre shkresave, i janë bashkangjitur edhe lista e kandidatëve për deputetë që janë dorëzuar në KQZ. Neni 29, që flet për përshtatshmërinë apo aftësinë e kandidatit, tregon se kush nuk mund të certifikohet si kandidat për deputet”, ka thënë Elezi.

Pas verifikimit të kandidatëve është Zyra për Regjistrim ajo e cila do t’i paraqesë në Komisionin Qendror Zgjedhor rekomandimet për aprovimin ose refuzimin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve.

Në rast se ndonjë subjekt politik apo kandidat nuk certifikohet, ai mund të paraqesë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Në zgjedhjet e 14 Shkurtit do të marrin pjesë 21 parti politike, dy koalicione parazgjedhore dhe pesë iniciativa qytetare. Numri i përgjithshëm i kandidatëve që garojnë në këto votime është 1,079./klankosova






Të ngjashme