Përballen PSG-Bayern dhe Chelsea-Porto

Pas fitores 3-2 në Mynih, PSG është favoriti i madh për t’u kualifikuar mbrëmjen e sotme për në gjysmëfinalet e Champions League. Bayern do të përpiqet të rikuperojë disavantazhin dhe të konfirmohet në majën e Europës, pas suksesit të verës së kaluar.

Te PSG, Mbappé do të veprojë si sulmuesi i vetëm në skemën 4-2-3-1, në të cilën Di Maria, Neymar dhe Draxler do ta mbështesin. Hapësirë në mesfushë për Gueye dhe Paredes, ndërsa në portë do të jetë Keylor Navas, si zakonisht. Për mbrojtjen, Pochettino do të zgjedhë nga krahët Dagba dhe Diallo, me dyshen Kimpembe-Danilo si qendrorë.

Në krahun tjetër, Flick nuk e ka rikuperuar dot Lewandowskin. Po kështu, Gnabry, Dougas Costa, Roca, Tolisso dhe Sule janë të pamundur. Në sulm do të startojë Choupo-Moting, i mbështetur nga Coman, Sanè dhe Muller.

Në mesfushë Goretzka, së bashku me Kimmich, ndërsa Neuer do të vendoset mes shtyllave të portës. Mbrojtja bavareze do të formohet nga Pavard, Boateng, Alaba dhe Davies.

Lojtarët e PSG dhe Bayern Munich do të duhet të jenë të kujdesshëm në funksion të një kualifikimi të mundshëm në gjysmëfinale. Mes të rrezikuarve nga kartonët janë Kurzaëa, Gueye, Neymar dhe Verratti, në njërën anë, dhe Boateng, Hernandez dhe Kimmich në anën tjetër.

Në ndeshjen tjetër të mbrëmjes, Chelsea është pretendent absolut ndaj Portos, teksa blutë e fituan 2-0 sfidën e parë në transfertë. Nuk mendohet të ketë surpriza, gjithsesi janë 90 minuta Champions ku spektakli asnjëherë nuk mungon.

Tv Klan