Brukseli: Duam një marrëdhënie të afërt me Londrën

Këto janë orët e fundit të Britanisë së Madhe si pjesë e Bashkimit Europian. Mesnatën e të premtes përmbyllet procesi i Brexit-it, që e shpall Britaninë zyrtarisht jashtë Bashkimit Europian.

Ndërsa të shtunën nis një fazë e re negociatash 1 vjeçare Bruksel-Londër, ku dy palët do të përcaktojnë marrëdhënien e ardhshme. Qëllimi është që Londra të jetë pjesë e tregut të përbashkët europian, edhe pse jo pjesë e unionit. Në një konferencë të përbashkët për shtyp, krerët e tre institucioneve kryesore të BE-së, Këshillit, Komisionit dhe Parlamentit i dërguan Londrës një mesazh të qartë.

“Bashkimi Europian kërkon të mbajë një marrëdhënie sa më të afërt të mundshme me Britaninë e Madhe. Por duhet të jetë e qartë, se sa më shumë Britania e Madhe devijon nga standardet europiane aq më pak akses do të ketë në tregun e përbashkët europian”.

Nga dalja e Britanisë së Madhe nuk humb vetëm ky vend. Bashkimi Europian i thotë “lamtumirë” 15% të ekonomisë së deritanishme, vendit me buxhetin më të lartë në fushën e mbrojtjes mes vendeve të unionit, por edhe atij që njihet si City of London, distriktit londinez i konsideruar si kryeqyteti i kapitalit financiar të botës.

Në qendrën historike të Brukselit, videoprojeksionet në muret e ndërtesave dhe parullat jepnin mesazhe shprese për rikthimin e Britanisë në BE. Ndërsa në Londër, mbështetësit e qëndrimit në BE mbanin ndezur mesazhin “Së bashku më të fortë”.

Tv Klan