Të ftuarit pasditen e kësaj të shtune në programin “Rudina” në Tv Klan u ndalën në një temë mjaft interesante. Të gjithë u kthyen pas në kohë, duke kujtuar shtëpinë ose folezën e tyre të parë të shumë kujtimeve.

Rezar Xhaxhiu ndau me publikun një episod jo pak të rëndësishëm të jetës së tij. Pak muaj pas martesës ai dhe bashkëshortja e tij, Laura, vendosën që të shkëputeshin nga familja e prindërve për të jetuar vetëm në një vend tjetër. Një shtëpi modeste e arreduar keq në Bukuresht do të ishte për çiftin Xhaxhiu foleja e tyre e parë që mbarte aq shumë kujtime.

“Martohemi në Prill të ’87-ës dhe kjo e imja, Laura, pa u mësuar akoma me shtëpinë e burrit e shohim veten në një shtëpi mijëra kilometra larg. Në një shtëpi në Bukuresht. Ishte një fat i madh që ishim jashtë ambasadës, në një bllok banimi me rumunë dhe na thanë që kjo është shtëpia juaj. Ishte një shtëpi 2 dhoma dhe 1 kuzhinë, ne ishim vetëm 2 veta. Imagjino të shkoje nga një shtëpi me prindërit, me vëllain, kunatën në një shtëpi që ishte vetëm e jotja. Shtëpi e cila ishte me kushtet bazike. Ne gjetëm mobiliet e Pogradecit, sepse ishin mobilie nga Shqipëria. E vetmja gjë që gjetëm në mur, ishte portreti që qarkullonte nëpër të gjitha shtëpitë e shqiptarëve, ishte ai i Enver Hoxhës. Laura e merrte dhe e vendoste poshtë divanit, kur vinin njerëz për vizitë i thoja nxirre moj. Kjo ishte foleja jonë e parë. Ishin ato 4 vite ku ne njohëm njëri-tjetrin më mirë, në folezën tonë. Edhe pse ishte mizerabël në arredim, por çrëndësi ka. Rëndësi ka që e fut ti çelësin e dhe hap derën. Ky ishte impakti i parë i shtëpisë së parë, larg prindërve.”

Por, vitet e intimiteti e privatësisë për çiftin e ri mbaruan kur shtëpinë në Tiranë duhet ta ndanin me prindërit, vëllain, kunatën e fëmijët e tyre. Rezar Xhaxhiu tregon se pas 3-4 vitesh arritën që të kalonin në shtëpi më vete dhe të krijonin folezën e tyre në vendlindje.

Edhe pse pak me siklet dhe ndrojtje, Rezar Xhaxhiu nuk donte të linte pa përmendur gjestin e tij ‘hakmarrës” për intimitetin e aq shumë munguar.

“Pak 4 viteve, nga 2 u bëmë 3 në një shtëpi me 3 kurora. Imagjino se çfarë historish. Por, pastaj pas 3-4 vitesh lëvizëm dhe krijuam shtëpinë tonë. Impakti i parë kur hymë në shtëpinë e re këtu, të Tiranës, tani duhet të më falni…Do e them edhe pse është pak intim, kur hymë tek shtëpia thashë ‘kjo është shtëpia që na takon ne’ dhe i thashë Laurës ‘dëgjo sot do rri vetëm nudo në shtëpi”. Pse? E bëra si një lloj hakmarrje që ndenjëm 4 vjet me kujdes, nga dhoma duhet të shkoje në banjo, duhet të visheshe. Thashë dua të rri, ta shijoj. I gjithë ky habitati është i imi!”/tvklan.al