Kapet shoferi që përplasi për vdekje shqiptarin

Franko Gjinaj duhej të mbushte 36 vjeç sot. I riu shqiptar duhej të festonte ditëlindjen këtë të mërkurë, por disa net më parë një aksident i rëndë i mori jetën në Torino.

Ai po kalonte rrugën në këmbë kur u përplas nga një makinë tip “Golf” që drejtohej nga një 34-vjeçar italian. Shoferi pasi e përplasi, u largua nga vendngjarja. Ai u vu në pranga këtë të mërkurë.

“Kisha frikë dhe u arratisa”, është shprehur para karabinierëve.

Franko Gjinaj

Sipas autoriteteve, 34-vjeçari, ndoshta edhe për shkak të mjegullës, përplasi shqiptarin në një rrugë ku mungonte ndriçimi dhe sinjalistika. Ai ka treguar se ndaloi 300 metra larg vendit ku përplasi Gjinajn. Më pas u kthye dhe e pa të pajetë shqiptarin. Në këtë pikë, ai u shpreh se e kapi paniku dhe u arratis.

Autoritetet e gjetën shoferin pas verifikimit të kamerave të sigurisë si dhe stemës Volkswagen që ngeli në vendin e ngjarjes.

Makina u gjet në një servis. Ajo ishte dëmtuar shumë në pjesën e parme. 34-vjeçari italian u kishte thënë mekanikëve se dëmet ishin shkaktuar për shkak se kishte përplasur një kaproll. /tvklan.al