Bayern Munich – PSG premton spektakël

Pas një sezoni jashtëzakonisht të çuditshëm të ndikuar nga pandemia Covid-19, Champions League vjen në ndeshjen e fundit. Përballe njëra-tjetrës janë dy skuadra që kanë patur një ecuri fantastike në kampionat dhe Europë. Paris Saint-Germain do të jetë përballë Bayern Munich.

Kampionët francezë do të përplasin brirët më gjigandët gjermanë pasi ia dolën të kalojnë me sukses në ndeshjet e fundit të luajtura të gjitha në Portugali.

Bayern po kërkon të ngrejë për herë të gjashtë kurorën e Champions League, ndërsa nga ana tjetër PSG do të tentojë të vërë duart në trofeun që për ta është shndërruar në kupën e shenjtë. Rrugëtimi i PSG deri në finalë i pa ata në krye të grupit, pjesë e të cilit ishin edhe Real Madrid, Club Brugge dhe Galatasary.

Më pas mundën Borussia Dortmund në 1/16, Atalanta dhe Leipzig. Kylian Mbappe dhe Mauro Icardi janë shënuesit më të mirë të ekipit në këtë sezon me nga 5 gola secili. Ishte meritë e trajnerit Tuchel që e kanalizoi më së miri në shërbim të skuadrës talentin e çdo lojtari. Por finalja ka një kuptim të vecantë për të.

“Jemi këtu për të luajtur finalen dhe ta fitojmë atë. Kjo është ndeshja me e rëndësishme për karrierën time. Është e vështirë t’i përshkruaj emocionet e mia. Jam i sfilitur dhe i lumtur”.

Ndërsa Bayern ka qenë në një formë të shkëlqyer dhe të pandalshëm duke fituar çdo ndeshje me 42 gola në total. Edhe bavarezët kryesuan grupin mbi Tottenham, Olympiacos dhe Crvena Zvezda. Më pas shkatërruan Chelsea 7-1 në rezultatin e përgjithshëm, tronditën Barcelonën 8 me 2 në çerekfinale dhë mundën Lionin 3-1 në gjysmëfinale.

Robert Lewandowski me 15 gola është më i miri mes gjermanëve, ndërsa Serge Gnabry ka shënuar 9.

“Ne do të tentojmë të luajmë futbollin tonë më të mirë dhe vetëm nëse japim 100% do të jemi në gjendje të mposhtim një skuadër si Paris Saint-Germain. I kemi parë të gjitha ndeshjet e tyre. PSG është si Barcelona, nuk duhet t’i lejojmë të mbajnë topin në mesfushën tonë”.

Do të nisë prej orës 21:00 të mbremjes, finalja për trofeun që do të mbahet mend gjatë.

Tv Klan