Me fillim nga ora 07:00 e mëngjesit të ditës së sotme në Kosovë ka nisur heshtja zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Këto janë zgjedhje të rregullta lokale dhe fushata elektorale, sipas Ligjit për Zgjedhje, zgjat 30 ditë, ndonëse fushata elektorale që ka nisur më 16 shtator këtë vit është zhvilluar shumë më ndryshe.

Për shkak të pandemisë COVID-19, fushata u realizua kryesisht në rrjete sociale dhe me tubime të vogla me qytetarë ku situatë e njëjtë ishte pothuajse në 38 komunat e vendit.

Tubime me më shumë qytetarë dhe një aktivizim shumë më të madh të subjekteve politike pati në pesë ditët e fundit të fushatës, njofton Klankosova.tv.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet lokale të kësaj të diele ka certifikuar 89 subjekte politike, nga të cilat 32 janë parti politike, një koalicion, 33 iniciativa qytetare dhe 23 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale është 5364 kandidatë, nga ta janë 166 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 5198 kandidatë për kuvende komunale.

KQZ-ja ka njoftuar se në zgjedhjet e 17 tetorit kanë të drejtë vote 1 milion e 885 mijë e 448 persona. /klankosova