Shqipëria hedh sot një tjetër hap drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në Luksemburg mbahet pasditen e sotme Konferenca e katërt Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Ky takim i hap rrugë negociatave për grup-kapitullin 2, që lidhet me Tregun e Brendshëm të BE-së.
Brenda këtij grupi përfshihen kapitujt që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë të mallrave, lirinë e lëvizjes së punonjësve, të drejtën e themelimit dhe ofrimin e shërbimeve, lëvizjen e lirë të kapitalit, të drejtën e kompanive, pronësinë intelektuale, politikat e konkurrencës si dhe mbrojtjen e konsumatorit dhe shëndetit.
Kryeministri Rama do të mbajë fjalën e hapjes në Konferencë, ku e pranishme do të jetë edhe Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos.
Para Luksemburgut, Kryeministri Rama u ndal në Bruksel, ku u takua me Presidentin e Këshillit Evropian Antonio Kosta. Kreu i qeverisë shqiptare shprehu mirënjohjen për mbështetjen ndaj vendit tonë.
“Sot sigurisht është një ditë shumë e mire për ne sepse kemi një tjetër Konference dhe çelim kapituj të tjerë, ndërkohë që me Presidentin jam shumë mirënjohës për kohën që më ka kushtuar për të zhvilluar një bisedë rreth përparimit që ne po bëjmë në këtë proces e pastaj edhe për samitin e ardhshëm për Komunitetin Politik Europian, i cili është një aktivitet, një eveniment shumë i rëndësishëm.
Në përgjithësi jam shumë shumë i inkurajuar nga këto zhvillime dhe jemi tej mase të përkushtuar për të përmbushur të gjitha detyrat e kalendarit që është shumë ambicioz për të mbyllur të gjitha negociatat brenda 2027”, tha Kryeministri Rama.
Nga ana e tij, Presidenti i Këshillit Evropian vlerësoi rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian.
“Është vërtetë inkurajuese të shohësh progresin që ka bërë Shqipëria në këtë rrugëtim. Sot po çelim një grup kapitull tjetër dhe ambicia jonë është që të çelim dhe më tej grup kapituj për t’u negociuar gjatë këtij viti, sepse e kemi një kalendar shumë konkret dhe duam që të realizojmë dhe kjo është shumë e rëndësishme për Shqipërinë, por mendoj që kjo është po kështu një shenjë mjaft e rëndësishme për të gjithë rajonin sepse mënyra më e mirë për të garantuar mirëqenien, paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor është me BE e anëtarësimin në të”, tha Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Presidenti i Këshillit Evropian tha se do të vizitojë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në muajin Maj, për të rritur bashkëpunimin dhe përpjekjet e përbashkëta për të pasur rezultate të mira të anëtarësimit. Pikërisht me 16 Maj në Tiranë do të mbahet edhe Samiti i Komunitetit Politik.
Klan News