Dy sfidat mbyllin javën e 9-të të Superligës shqiptare

Java e 9-të në Superligën shqiptare vendos përballë dy skuadrat që janë ngjitur pikërisht këtë sezon në elitë, si Dinamo dhe Egnatia. Ekipet janë munduar për të lënë gjurmë në këto pak javë. Si kryeqytetasit, ashtu edhe rrogozhinasit kanë regjistruar dy fitore në 8 javë dhe gjenden aty pranë në tabelën e klasifikimit.

Në dy sfidat e fundit, Dinamo është mposhtur, ndërsa Egnatia ka arritur të marrë vetëm dy pikë. Përballja mes tyre do luhet në “Elbasan Arena’ duke nisur nga ora 16:45.

Vëmendja më e madhe do të jetë në Shkodër, aty ku do masin forcat Kukësi dhe Tirana. Verilindorët tashmë në migrim prej vitesh kërkojnë që në stadiumin “Loro Boriçi” të ruajnë hapin e kundërshtarit dhe të ngushtojnë diferencat në krye të renditjes. Fitorja e skuadrës së Diego Longos përkthehej në afrimin me tre pikë me bardheblutë, që para kësaj sfide numërojnë 6 pikë më shumë.

Dueli i Shkodrës do luhet nën dritën e prozhektorëve në orën 19:45.

Klan News