Partizani – Tirana për herë të parë në stadiumin “Air Albania”

“Edhe pse ka 3 ditë që ka nisur shitja e biletave në stadiumin “Selman Stërmasi ka ende tifozë në radhë. Ata kërkojnë një biletë për derbin që kësaj here do të zhvillohet në Air Albania Stadium”.

Më të shumtë janë ata të Partizanit që janë në sportelin e biletarisë. Ata kanë një jetë që e ndjekin ekipin e zemrës.

Përveç pikës te stadiumi “Selman Stërmasi” bileta gjen dhe te dyqani zyrtar i Federatës Shqiptare dhe tek ai i sponsorit teknik të Partizanit.

Pritet një numër rekord shikuesish për vitet e fundit, kjo edhe prej kapacitetit më shumë se 20 mijë vendesh të stadiumit të ri të kryeqytetit. Mbështetësit më të zjarrtë do të jenë në tribunat pas porte. Rrugëtimi i tyre është përcaktuar.

Ultras Guerrils të Partizanit do të nisen nga 21 dhjetori, ndërsa Tirona Fanatiks nga pedonalja. Grupimet nuk do të kenë pika takimi mes tyre, madje do të ketë kordone policore në rrethinat e stadiumit për të penguar çdo kontakt.

Trafiku rreth Air Albania Stadium do të kufizohet prej orës 16:00. Të dy skuadrat kanë mungesa për këtë sfidë të javës së 15.

Telushi, Broja dhe Mala për të kuqtë dhe Hasani, Dunga dhe Kale të bardheblutë. Derbi i kryeqytetit do të nisë 19:00, ndërsa dyert e tribunave do të hapen 2 orë e gjysmë para nisjes së përballjes.

Tv Klan