Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, mbledh të dielën në Bruksel presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një përpjekje të re për të siguruar një marrëveshje normalizimi ndërmjet të dyja palëve.

Sipas zonjës Mogherini “ata do të vazhdojnë punën e tyre në fazën e bisedimeve për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, do të diskutojnë për marrëveshjet ekzistuese, të informojnë për arritjet e deritashme dhe të diskutojnë hapat e ardhshëm duke pasur parasysh një periudhë intensive bisedimesh që priten në të ardhmen”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha gjatë javës se është i bindur që

“ka ardhur koha që pas bisedimeve, që në një mënyrë apo tjetër po zgjasin tash e njëzet vite, të nënshkruhet një marrëveshje historike në mes të Kosovës dhe Serbisë, me të cilën do të përfundonte një epokë tragjike mbi një shekullore në raportet në mes dy shteteve dhe popujve tanë”.

Ai tha se bisedimet do të jenë të rënda dhe në to “do të diskutohet për çështjen e shënimit të kufirit me Serbinë… për herë të parë në histori”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se “

është shkurajuar nga deklaratat e zyrtarëve të Prishtinës”, por bisedimet duhet të vazhdojnë.

Presidenti i Kosovës shkoi në Bruksel duke lënë prapa kritika të ashpra të opozitës e cila kërkon që bisedimet me Serbinë të mos bëhen pa një autorizim të parlamentit të Kosovës. Presidenti Thaçi tha se me kushtetutë dhe ligje e ka detyrim që të përfaqësojë Kosovën në skenën ndërkombëtare dhe t’u prijë bisedimeve deri në fund të këtij procesi.

Bisedimet fillimisht teknike mes Kosovës dhe Serbisë nisën në vitin 2011. Në prill të vitit 2013 Kosova dhe Serbia arritën e marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve që përfshinte një gamë çështjesh, pas të cilave bisedimet kryesisht u zhvilluan për rrugët e zbatimit të saj. Bisedimet e deritashme i siguruan Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Por ajo vazhdon të jetë e fundit në proceset integruese evropiane.

Një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimi i marrëdhënieve është kusht për të dyja vendet për integrim në Bashkimin Evropian. Por, ende është e paqartë se çfarë mund të jetë ajo marrëveshje. Prishtina thotë se ajo duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Beogradi që kundërshton pavarësinë e Kosovës, kërkon një “kompromis”, por pa e qartësuar se cili mund të jetë ai. Një pjesë e politikanëve ne Serbi tashmë e kanë përsëritur se zgjidhje mund të ishte ndarja e Kosovës, përkatësisht që veriu i saj i banuar me shumicë serbe t’i takojë Serbisë, ide që është hedhur poshtë nga Prishtina.

/VOA