Një program i ngjeshur është parashikuar në axhendën e Kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis ditën e sotme dhe të nesërme në mbledhjen informale që zhvillohet në Athinë për Ballkanin.

Punimet e konferencës do të ndahen në dy ditë, ndërsa të pranishëm do të jenë zyrtarë të lartë të BE, por edhe përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit, me përjashtim të Shqipërisë. Ftesa i shkoi Presidentit Begaj, por ky i fundit nuk do të marrë pjesë për shkak të aktiviteteve të planifikuara më herët.

Por mediat greke raportojnë se një i ftuar surprizë në këtë konferencë informale për Ballkanin do të jetë edhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky. Prania e Zelenskyt në mbledhjen në Athinë ishte mbajtur sekret deri ditën e sotme. Presidenti ukrainas është një turne në Europë gjatë këtyre ditëve.

Sa i përket zyrtarëve të BE-së, të pranishëm do të jenë Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel dhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen. Ndërsa liderët e Ballkanit do të jenë të gjithë të pranishëm, me përjashtim të Shqipërisë. Theksojmë që Kosova do të përfaqësohet nga Kryeministri Albin Kurti.

Por mediat greke kanë zbuluar nga burimet e tyre qeveritare se Kryeministrit Edi Rama nuk ju dërgua ftesa për shkak të situatës së krijuar me Fredi Belerin në Himarë, gjë që mesa duket ka ndikuar në “ngrirjen” e marrëdhënieve Shqipëri-Greqi. Por qeveria greke ftoi në këtë takim Presidentin Bajram Begaj, por ky i fundit njoftoi se për shkak të axhendës së planifikuar më herët nuk mund të jetë i pranishëm në mbledhjen informale në Athinë.

Në konferencën informale do të jetë edhe Kryeministri i Kroacisë, i cili raportohet se do të takohet një takim “kokë më kokë” me Kryeministrin grek Mitsotakis.

AXHENDA E KONFERENCËS INFORMALE 2-DITORE NË ATHINË

E hënë, 21 Gusht

Ora 11:00 – Takim i Kryeministrit Mitsotakis me Presidenten e Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës.

Ora 13:00 – Takim i Kryeministrit Mitsotakis me Kryeministrin e Rumanisë.

Ora 15:00 – Takim i Kryeministrit Mitsotakis me Kryeministrin e Kroacisë.

Ora 20:15 – Darkë informale me zyrtarët e BE për zgjerimin dhe të ardhmen europiane të rajonit me rastin e 20-vjetorit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor “Deklaratës së Selanikut”

E martë, 22 Gusht

Ora 09:00 – Takim i Kryeministrit Mitsotakis me Presidenten e Moldavisë.

Ora 10:00 – Takim i Kryeministrit Mitsotakis me Presidentin e Malit të Zi.

Ora 10:45 – Takim i Kryeministrit Mitsotakis me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

/tvklan.al