Shqipëria do të përballet sot në mbrëmje kundër Ishujve Faroe në stadiumin “Torsvullur” të Torshavnit në takimin e Grupit E, të vlefshëm për kualifikueset e Euro 2024.

Në fushë në stadiumin “Torsvullur” pritet që ekipi të rreshtohet me modulin 4-2-3-1, ashtu si edhe në përballjen në “Air Albania” kundër Moldavisë.

Silvinjo ka vendosur që t’u besojë 11 lojtarëve që i sollën kuqezinjve fitoren e parë në grup. Në portë pritet ta nisë Berisha.

Në mbrojtje, nga e djathta në të majtë; Hysaj-Ismajli-Gjimshiti dhe Mitaj. Më të avancuar, në mesfushë do të jetë dyshja Ramadani-Bare.

Të rreshtuar më përpara do të jenë nga krahët Asani dhe Uzuni e në qendër Nedim Bajrami. Pykë do të luajë Sokol Cikalleshi.

Sfidë tjetër e Grupit E në mbrëmjen e sotme do të jetë Moldavi-Poloni.

Republika Çeke kryeson grupin me 7 pikë, por ka një ndeshje më shumë se Polonia e Shqipëria , me të dyja ekipet që kanë nga tre pikë, e gjenden në vend të dytë e tretë.

Klan News