Parlamenti mblidhet sot në një seancë të posaçme për të votuar ngritjen e Komisionit Parlamentar që do të hetojë shkeljet e pretenduara të kushtetutës nga ana e Presidentit Meta. 130 minuta kohë do të jenë në dispozicion të deputetëve të shumicës dhe pakicës parlamentare për të diskutuar në fillim mbi raportin e hartuar nga Komisioni i Ligjeve, që miratohet me shumicë të thjeshtë.

Argumentin ligjor për shkarkimin e Presidentit  socialistët e mbështesin në  anulimin e dekretit që Meta i bëri zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit. Për socialistët, kreu i shtetit është sjellë arbitrarisht me pushtetin pasi ka  cënuar parimin e periodicitetit të zgjedhjeve duke nxjerrë një akt në kundërshtim flagrant me ligjet dhe kushtetutën.

Në raportin e Komisionit të Ligjeve maxhoranca thotë se në të paktën 9 raste Presidenti ka shkelur ligjin themeltar të shtetit dhe parimin e ushtrimit të sovranitetit nga ana e popullit.

Komisioni Hetimor do ketë në përbërje të tij  9 anëtarë, 5 nga PS dhe 4 nga opozita e re dhe do të kryesohet nga Ulsi Manja. Por pavarësisht procedurave ligjore të nisura nga socialistëve fjalën e fundit e ka Gjykata Kushtetuese, organ që vendos nëse Presidenti ka shkelur apo jo ligjin themeltar të shtetit.

Tv Klan