Vëmendja e gjithë botës sot është në Rusi, ku për 1 muaj, 32 ekipe do të shpalosin festën më të madhe të futbollit. Në Moskë ngre siparin këtë të enjte Kupa e Botës 2018. Ceremonia hapëse do të zhvillohet në stadiumin “Luzhniki”.

Të ftuarit specialë janë popstar-i Robbie Williams, soprano Aida Garifullina, por do të shohim në rolin e këngëtarit edhe ish-futbollistin Ronaldo. Rusia ka shpenzuar rreth 20 miliardë dollarë për stadiumet dhe infrastrukturën për këtë eveniment.

Ekipet debutuese në këtë Botëror janë Islanda dhe Panamaja. Në 64 ndeshjet e këtij turneu do të përdoret sistemi VAR në ndihmë në gjyqtarëve. Sfida hapëse do të jetë Rusi – Arabi Saudite në orën 17:00.

64 ndeshjet e tjera do të luhen në 12 stadiume, në 11 qytete. 7 prej tyre janë të ndërtuar tërësisht të rinj. Rreth 400 mijë vizitorë do të shkojnë në Rusi për këtë eveniment, sipas të dhënave të shoqërive turistike. Kjo kërkon një siguri të lartë për të shmangur problemet aq sa është vendosur që të mos lejohet asnjë objekt fluturues përqark stadiumeve dhe zonave të tifozëve.

Tv Klan