Partia Socialiste ka nisur sot zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 30 Qershorit. Mitingu hapës zhvillohet në Parkun Olimpik të Tiranës.

Para qindra simpatizantëve, Kryeministri Edi Rama tha se beteja e nisur sot nuk është fushatë zgjedhjesh pa kundështarë, por një betejë me kundërshtarët e zgjedhjeve.

Sot nisim maratonën 30 ditore për betejën politike; Kundërshtarët tanë kanë frikë nga zgjedhjet

“Sot nis maratona jonë 30 ditore për zgjedhjet e 30 Qershorit dhe konfirmimin e PS dhe kandidatëve tanë, si forca e padiskutueshme e ndryshimit dhe zhvillimit në çdo bashki të Shqipërisë.

Sot nis një maratonë 30 ditore, për një betejë politike më të qartë se asnjëherë më parë, mes të shkuarës dhe të ardhmes. Mes nesh që duam ta çojmë Shqipërinë përpara dhe atyre që duan ta kthejnë mbrapa këtë vend. Mes nesh që duam një vend normal dhe atyre që duan vetëm pushtet.

Sot është 1 Qershori, dita e fëmijëve dhe ardhmërisë që duam të ndërtojmë për ta. Kjo ditë është një arsye më shumë për ta thënë me zë të lartë, se rruga e vështirë që kemi zgjedhur, duke bërë reforma që askush më parë nuk guxoi ta imagjinonte është detyrimi ynë ndaj fëmijëve të këtij vendi.

Edhe këto zgjedhje, të cilat janë braktisur nga kundërshtarët tanë kryesorë politikë, janë pjesë e detyrimit tonë, ndaj fëmijëve të këtij vendi.

Kundërshtarët tanë kanë frikë nga zgjedhjet, ndaj bërtasin rrugëve kundër tyre. Kanë frikë nga gjykimi i popullit në zgjedhje, prandaj kërcënojnë rrugëve, se nuk do ta lejojnë popullin të zgjedhë. Kanë frikë nga ballafaqimi demokratik, prandaj përbetohen rrugëve, se do të na imponojnë një përplasje antidemokratike.

Sot, nga kjo vendnisje e maratonës sonë drejt 30 Qershorit, unë u them të gjithë shqiptarëve se zgjedhjet janë të çdokujt prej jush që dëshiron të votojë dhe kush e çon ndërmend se mund t’ju pengojë të zgjidhni do të mendohet 2 herë, përpara sesa t’i bjerë me kokën gurit themelor të sistemit tonë demokratik.

Ata që vendosën të dalin këtë herë nga binarët e këtij sistemi nuk mund të vendosin për asgjë më shumë, përveç vetes së tyre dhe për askënd tjetër, përveç njëri-tjetrit mes tyre.

Zgjedhjet pa opozitën kryesore janë antidemokratike vetëm nëse opozita pengohet të hyjë në zgjedhje, por jo kur opozita vendos vetë të mos hyjë, zgjedhjet nuk janë aspak jo demokratike.

Imagjinoni çfarë rrumpalle bëhet demokracia në këtë vend nëse zgjedhjet bëhet pre e tekave politike të partive dhe sot shtyhen se do një parti, nesër shtyhen se do një parti tjetër dhe me radhë. Parti pas partie, zgjedhje pas zgjedhjesh. Imagjinojeni se çfarë çorapi bëhet jeta jonë demokratike nesër, nëse sot do të shtyheshin zgjedhjet, për t’i hapur rrugë politikës destruktive të djegies së mandateve dhe të dhunës partiake, kundër institucionit themelor të demokracisë që është vota. Imagjinojeni se ça kuptimi do të kishte nesër vota e popullit për mandatet e ardhshme qeverisëse nëse sot do të fitonte politika e pengmarrjes se atyre që braktisin parlamentin dhe dalin në rrugë, për të përmbysur qeverinë dhe zgjedhur për të imponuar një qeveri sipas tekave të tyre për zgjedhje të parakohshme. Ku është parë kjo? Kjo nuk është parë askund dhe nuk ka asnjë shans që të shikohet këtu në këtë vend, ku janë boll 30 vjet. Për t’i dhënë fund lojërave politike në dëm të zhvillimit demokratik dhe të shtetit të së drejtës.

Ata kanë të gjithë drejtën e tyre të luftojnë qeverinë, kanë të drejtën e tyre të ulërasin kundër çdo gjëje që bën qeveria. Është e drejta e tyre edhe që të mos lenë dy gurë bashkë për të sabotuar çeljen e negociatave, por ata ta harrojnë nëse kanë në dorë gjë tjetër përveçse të vetvriten politikisht, duke i rënë murit me kokë.

Ata kanë një problem, janë pak. Ne kemi një avantazh, jemi shumë. Ata janë dembelë, të paaftë për të drejtuar. Ne jemi punëtore dhe jemi përkushtuar në drejtim.

Ata janë frikacakë dhe janë të alarmuar nga reforma në drejtësi, ne jemi guximtar dhe jemi të vendosur ta bëjmë këtë vend, ku drejtësia është një për të gjithë dhe të gjithë janë të barabartë përpara drejtësisë.

Ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne ky vend nuk ka parë. Kthehuni pak në histori dhe kujtohuni pak se si janë të ndara 30 vjet rrugë dhe përpjekje të këtij vendi për Shqipërinë Europiane. Ata prish ne rregullo, ata bëjnë prapa dhe ne çajmë përpara. Ata fut njerëzit në piramida, zhyt vendin në borxhe, ne laj borxhet e tyre…

Kujtoni Tiranën e tyre, shikoni Tiranën tonë, kujtoni Korçën, Dibrën e tyre, shikoni Korçën e Dibrën tonë, me radhë të tëra bashkitë vetëm 4 vjet në dorën tonë. Asnjëra bashki nuk është siç ne e duam nesër për fëmijët, por kujtojini dhe shikojni pak se ku janë sot, krahasuar me ku ishin dje, vetëm 4 vite më parë. Shikoni se çfarë bënë ata me Shkodrën për 30 vjet me radhë dhe shikoni çfarë bëmë ne me Vlorën për vetëm 4 vjet. Duhet të jetë komplet qorr për të mos bërë dallimin si nata me ditën.

Ka shumë mundësi se për ta të punosh domethënë të vjedhësh dhe mesa duket nuk kanë nisur kurrë një punë pa menduar se çfarë ka për të vjedhur dhe kanë vjedhur në çdo punë që kanë bërë. S’kemi ça u bëjnë ata janë të mbrapshtë”.

Sot nisim betejën me kundërshtarët e zgjedhjeve

Kjo që nisim sot nuk është një fushatë zgjedhjesh pa kundërshtarë, por një betejë e madhe, historike me kundërshtarët e zgjedhjeve. Kjo është një betejë për t’i dhënë fund përgjithmonë një mënyre të ulët, të poshtër, të pabesë të të bërit politikë duke u tallur me popullin, duke përbuzur ligjet dhe rregullat që duhet të vlejnë njësoj për të gjithë. Duke dhunuar gjuhën që na bashkon në një komb, në një popull, në një komunitet njerëzish. Duke dhunuar ligjësitë universale të demokracisë dhe bashkëjetesës demokratike.

Kjo është një betejë për t’i dhënë fund çdo iluzioni ringjalljeje një plaku të marrë dhe të marrë fund që është mësuar të luajë me zjarrin dhe të kërcënojë socialistët. Që e ka djegur Shqipërinë njëherë për së gjalli dhe ka arritur të rikthehet në pushtet, duke përfituar nga përçarja jonë në të shkuarën që për fatin e keq të këtij vendi, kujton akoma se na bën dot shantazh me zjarrin e urrejtjes së tij përçarëse dhe me atë pinokun e vogël, që ka në krye të partisë së tij.

Kjo është një betejë për t’i dhënë fund përqeshjeve cinike të asaj partie dhe çdo partie me popullin sovran dhe për ta mbyllur njëherë e mirë kapitullin shumë vjeçar të diktatit të forcës së urrejtjes, mllefit, vulgaritetit mbi proceset demokratike dhe jetën parlamentare të vendit.

Kjo është një betejë që ne do ta zhvillojmë me pasion, këmbëngulje, intensitet të madh komunikimi me qytetarët e këtij vendi, qoftë aty ku kundërshtarët tanë kanë kundërshtarë të regjistruar përballë, qoftë aty ku nuk ka të tillë, po ku kundërshtari është po ai fantazma e të shkuarës, që po jep shpirt, po nuk heq akoma dorë. Kjo e 30 Qershorit nuk është një betejë për votat, por është një betejë për zemrat dhe mendjet e shqiptarëve, pavarësisht nëse duan ose jo të votojnë në këto zgjedhje, ku kundërshtarin ne nuk do ta mundim me votë, po me forcën e pathyeshme të vendosmërisë, sigurisë dhe qetësisë tonë.

Një sfidë me historinë

Në fund kam një mesazh të drejtpërdrejtë për qytetarët.

Unë nuk jam më i mirë, nuk jam as i pagabueshmi, kam të metat dhe kusuret e mia si njeri dhe si kryeministër, bëj sa mundem dhe jo sa dua dhe jo gjithmonë arrij të bëj aq mirë sa dua atë që mundem. Por dua t’ju them, duke ju parë juve dhe të gjithë në sy, po të ishte kjo e imja një çështje e thjeshtë personale unë ju siguroj se do ta kisha lënë prej kohësh atë punë dhe nuk do të mbaja kurrë përditë në kurriz rrebeshin e përditshëm mbi vete. 

Unë mund të jem pasionant, edhe arrogant po të doni, por kurrë nuk kam qenë materialist dhe kurrë s’kam për të qenë as kriminel e as hajdut.

Unë mund të bëj gjykime të gabuara, mund të marr edhe vendime të gabuara, po kurrë as kam bërë, as kam marrë e as kam për të bërë e marrë asnjë vendim për gjëra të gabuara, që i di përpara si të gabuara. Kurrë s’e kam dhe s’kam për ta hedhur firmën timë për të fituar në mënyrë të paligjshme.

Unë nuk kam sesi t’i provoj fjalët e mia për veten time, por gjithmonë, edhe tani, i kam sfiduar dhe i sfidoj të gjithë ata që thonë të kundërtën ta provojnë të kundërtën me fakte jo me baltë e jo me sajesa, por me prova.

Për mua kjo detyrë është mision, është pasion jo kalkulim, është bindje atdhetare dhe një sfidë me historinë që unë besoj se mund ta fitoj sepse kam fuqinë e të gjithëve ju, fuqinë e Partisë Socialiste të Shqipërisë. Kjo le të thonë çfarë të duan, të lehin sa të duan, kjo është e vetmja parti politike e shqiptarëve që kurrë nuk e ka tradhtuar interesin kombëtar.

Me të gjitha të metat, mbetet sot e gjithë ditën mbetet forca politike më e madhe, më e aftë e pa diskutim më atdhetarja dhe më e besueshmja nga shqiptarët“./tvklan.al