Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka zhvilluar një bisedë telefonike me 10 mjekët që kanë shkuar për asistencë në Itali, në ndihmë të homologëve të tyre për të përballuar rastet me koronavirus.

Të gjithë mjekët kanë nisur sot punë në frontin e parë të përballjes, ndërsa njoftohet se infermierët do të fillojnë ditën e nesërme, për shkak se përgjegjësja e tyre nuk ka qenë prezente ditën e sotme në spitalin e Breshias.

“Ne mjekët filluam të gjithë punë sot, infermierët do të fillojnë nesër. Reanimatoret kanë filluar punë në reanimacion, ndërsa unë me gjithë doktoreshën tjetër jemi tek repartet e COVID subintensiv, në repartet e pneumologjisë. Ndërsa doktoresha që vinte nga Instituti i Shëndetit Publik është tek tamponët me gjithë dy mjekë të tjerë. Ndërsa dy mjekë janë vendosur në triazhim. Edhe infermierëve u kanë përcaktuar vendet dhe po i pajisin me veshjet e duhura dhe nga nesër do të fillojnë shërbimin”, tha Ermal Pashai, një nga mjekët e dërguar në Itali në misionin humanitar.

Manastirliu iu ka dhënë edhe një këshillë të gjithë ekipit.

“Një këshillë kisha. E para forca dhe kujdes veten të gjithë ju, pra kujdes materialet e mbrojtjes personale, veshja e duhur për të mos rrezikuar veten. E dyta, ju jeni krenaria jonë, ne kemi besim tek ju dhe do të doja që nëpërmjet jush dhe gjithë ekipit tjetër t’ju uroja suksese në këtë mision humanitar”.

Por grupi i mjekëve në Itali kanë kërkuar mirëkuptim nga media.

“Kemi një kërkesë elegante, që të ketë një mënyrë komunikimi me mediat, sepse gjithë impenjimi i medias ndaj nesh duket sikur na jep famë, por nuk jemi të përgatitur për të gjitha. Ne duhet të përqëndrohemi tek kjo punë për të cilën kemi ardhur”.

“Ka një kohë për të punuar dhe për të luftuar, një kohë tjetër pastaj për të ndarë eksperiencën dhe kjo është koha për të luftuar dhe kush lufton nuk e ka mendjen te fjalët, por e ka mendjen te puna”, tha Manastirliu./tvklan.al