Kryeministri Edi Rama ka folur sot për fillimin e vaksinimit masiv. Rama e ka cilësuar procesin e nisur si një nga ditët më të bukura për njerëzit duke vlerësuar se politika e mirë është ajo që sjellë punë të mira. Ai i bëri thirrje popullit që të marrin seriozisht politikën dhe të jenë të vëmendshëm në zgjedhjet e tyre.

“Sot ka nisur çlirimi nga ankthi në shpirtin e mijëra gjysheve dhe gjyshërve të këtij vendi, që për shkak të rrezikut të madh që i kërcënon në këtë kohë të mallkuar, ku bota përballet me armikun e padukshëm, kanë qenë të detyruar të mbyllen brenda dhe të privohen nga shumë orë në ajër të pastër, të privohen nga shumë kontakte me nipërit, me mbesat, të privohen nga shumë ulje me njëri tjetrin dhe ndërkohë të mësojnë çdo ditë lajme të hidhur për bashkëmoshatarë të tyre që ndërrojnë jetë si rezultat i marrjes së frymës dhe i ndalimit të rrahjeve të zemrës nga agresioni i armikut të padukshëm.

Rama tha se kjo është faza finale e luftës me Covid-19.

“Sot kemi hyrë në fazën finale të kësaj lufte dhe faktikisht çdo ditë nga sot është një hap kolosal drejt fitores përfundimtare mbi këtë mortje, që prej një viti e kusur e ka ndryshuar rrënjësisht kuptimin e jetës sonë dhe ka penguar çdonjërin prej nesh të marrë frymë thellë për të parë të ardhmen në një përpjekje të përditshme për ti mbijetuar të tashmes. Nuk ka kënaqësi më të madhe se sa të shohësh mijëra e mijëra gjyshe e gjyshër pa asnjë dallim që të marin vaksinën. Është një nga ato momente që kush do e kupton që politika në vetvete nuk është diçka e keqe. Përkundrazi, politika ka lindur për këtë, për të bërë gjëra si këto. Kur politika bie në duar të mira bën punë të mira. Kur bie në duar të këqija bën punë të këqija.

Pa politikën dhe pa diplomacinë dhe pa kontaktet diplomatike nuk do arrinim dot të siguronim vaksinim masiv të popullsisë dhe do ishim si vende të tjera në rajon që deri tani nuk kanë bërë asnjë dozë, ose po bëjnë akoma doza simbolike. Jemi një nga dy vendet e rajonit që e kemi siguruar vaksinimin masiv dhe kjo më bën shumë krenar dhe për t’i vënë njerëzve faktin që politika është shumë e rëndësishme dhe njerëzit në momentin që do të vendosin në çdrejtim do të shkojë vendi ta marrin seriozisht politikën.

Kur njerëzit zgjedhin për shtëpinë e tyre nuk shikojnë partitë, nuk shikojnë ngjyrat. Kur njerëzve u duhet një gomar për drutë nuk e shohin nga ngjyra, as nga veshët, por thjesht dhe vetëm i shikojnë fuqinë që ka për të bërë punën. E pse qenka ndryshe kur vjen puna për të zgjedhur njerëzit që duhet të bjnë gjërat e përbashkëta. Mendoni se vaksinimi nuk ka lidhje me politikën dhe me kë drejton vendin, që  nuk ka lidhje me qeverinë apo njerëzit që drejtojnë institucionet? Kush e mendon këtë bën një gabim shumë të madh“./tvklan.al