Fitorja, e vetmja alternative për kuqezinjtë. Reja mund të eksperimentojë

Është ndoshta e vetmja ndeshje e grupit, i vetmi kundërshtar me të cilin Shqipëria edhe mund të bëjnë aventura. Dhe trajneri të eksperimentojë me futbollistë apo ndryshim të rreshtimit gjatë lojës. San Marino është nivel shumë më i ulët se Shqipëria.

Është skuadra me të cilën çdo kundërshtar i ka pikët e sigurta. Duke nisur nga ky faktor por edhe nga qetësia që të jep rikthimi i disa futbollistëve me eksperiencë, tekniku i kombëtares shqiptare Edi Reja është përballe dilemës, kë do të zgjedh më parë?

Në portë rikthehet Thomas Strakosha. Futbollisti i Lazio duhet të ketë minuta në ndeshjet ndërkombëtare si dhe duhet të fitojë pozicionin titullar në klubin e tij. Në mbrojtje mund të shohim ndoshta si zëvendësues Enea Mihaj, i cili vjen pas një dëmtimi që e mbajti gjatë jashtë fushave.

Pas përpjekjes së gjatë për ta veshur kuqezi, një vend do ti lihet edhe Nedim Bajramit. Që mund të shërbejë si mesfushor sulmues ose në anë të djathtë të repartit ofensiv. Minuta mund t’i jepen edhe Armando Brojës që zgjidhi situatën në ndeshjen ndaj Hungarisë me golin që siguroi 3 pikët.

Tv Klan