Mbrëmjen e sotme do të përcaktohet çifti finalist i edicionit të 72-të të Kupës së Shqipërisë. Në orën 19:00 luhen takimet Dinamo-Vllaznia dhe Partizani-Egnatia. Rrogozhinasit janë kampionët në fuqi të kompeticionit, teksa duan të ruajnë trendin e fitores së Kupës për herë të tretë radhazi. Një sukses që skuadra e Edlir Tetovës synon ta përsëris në një sezon ku ka dominuar totalisht futbollin shqiptar.
Por, për ta arritur këtë duhet të përmbys disavantazhin e një goli nga ndeshja e parë. Duke iu referuar edhe edicionit të shkuar, Egnatia fitoi kampionatin, Kupën dhe më pas Superkupën, formë që kërkon ta përsërisë. Gjithsesi, përballë do të ketë Partizanin, me trofeun që mungon në vitrinën e titujve prej 21 vitesh. Kupa konsiderohet edhe si shpëtim për sezonin e të kuqve, pasi për momentin nuk e ka të sigurtë pjesëmarrjen në final-four e kampionatit. Partizani e ka fituar 15 herë, ndërsa Egnatia në 2 raste.
Dinamo-Vllaznia është përballja tjetër gjysmëfinale. Barazimi pa gola në ndeshjen e parë e bën akoma dhe më interesante këtë sfidë, e cila mund të kërkojë edhe nevojën e kohës shtesë, por edhe penalltive nëse 90 minutëshi do përfundonte në ekuilibër rezultati. Shkodranët mungojnë në finale prej vitit 2022, teksa në total ka fituar 8 edicione të Kupës. Më e ndërlikuar është rruga për Dinamon, kampion në 13 raste. Nëndetësja blu ka ngritur lart trofeun për herë të fundit në vitin 2003, ndërsa humbi titullin në sezonin 2010-2011.
Klan News