Partia Demokratike zhvillon sot primaret, për të vendosur për kandidatët që do të garojnë përballë PS-së në zgjedhjet vendore të 14 Majit. Gara po zhvillohet në 56 bashki nga 61 që janë gjithsej. Në 7 prej tyre ka vetëm nga një kandidat për primaret.

Votimi ka filluar në orën 08:00 në shumicën e qendrave. Vetëm në Lezhë, procesi është vonuar një ore, shkak ishte mungesa e listës së simpatizantëve të primarëve. Deri më tani nuk është raportuar për asnjë problematike në asnjë prej qendrave të votimit.

Beteja më e fortë konsiderohet në kryeqytet, ku përballja do të jetë mes 7 kandidatësh, mes tyre Belind Kellici, Ilir Alimehmeti, Gert Bogdanit dhe Julian Deda. 

Në dy bashki të tjera të mëdha PD shkon në zgjedhje me 1 emër, Luçiano Boçin në Elbasan dhe Bardh Spahinë në Shkodër. Ndërsa anëtarësia e PD në Durrës duhet të zgjedhë dhes Igli Carës dhe Armand Dervishit.

Kruja është bashkia e cila ka më së shumti kandidatë, plot 11 emra që synojnë të jenë përballë PS në 14 Maj.

Primaret, Berisha: Sot, një ditë e madhe për PD-në

Pasi votoi në selinë blu për primaret që po zhvillohen për të nxjerrë kandidatët e PD-së për zgjedhjet e 14 Majit, kryetari Sali Berisha pati një prononcim për mediat.

“Është një ditë e madhe për PD-në, është një burim drite për demokracinë shqiptare, kjo ditë në të cilën dhjetëra-mijëra anëtarë dhe simpatizantë të PD-së, votojnë për qytetarin e parë të bashkisë së tyre. Ky është një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm, veçanërisht rëndësia e tij bëhet shumë herë më e madhe pasi vota e lirë ka në Shqipëri, një armik të egër të saj, një armik që përpunoi dhe zhvilloi të gjithë mekanizmat e plaçkitjes së saj, e grabitjes së saj, një armik që e përzuri përfundimisht votën nga partia e tij dhe shndërroi PS-në, e riktheu në origjinë, parti pa votë, parti e njishit, parti e mafias, parti potencialisht e terrorizmit, dhe të gjithë negativitetet që mund të ketë një komunitet që vepron si klub mafioz, si shpellë mafioze, dhe jo si komunitet i një bashkësie të lirë. Edi Rama është i vetmi në Europë që ka përjashtuar votën e lirë nga partia e tij. Në këtë kontekst, ky zhvillim është një rreze e fuqishme shprese për rivendosjen e saj në Shqipëri. Demokratët, duke votuar sot të lirë, duke zgjedhur përfaqësuesit e tyre për qytetar të parë të bashkive të tyre, shumëfishojnë forcat, shumëfishojnë energjitë për t’u përballur me kalbësirën që kanë përpara dhe që quhet regjimi i Edi Ramës, për të përmbysur monizmin që sundon në Shqipëri dhe bazohet në drogën, krimin, vjedhjen e votës. Ky moment, ky zhvillim pas krijimit të pluralizmit politik në Shqipëri, shënon aktin më madhor në historinë e PD-së, pranimin e pluralitetit në gjirin e kësaj partie, shënon hapjen më të madhe në tërësi historinë e një force politike shqiptare. Sot konkurrojnë mbi 200 e ca kandidatë në 60 bashki të vendit”.

Berisha tha se kryesia e PD-së dhe kryetari i saj nuk kanë ndikuar tek asnjë kandidat që ka paraqitur kërkesën të tërhiqet nga gara.

“Ju garantoj një gjë, kryesia e PD dhe kryetari i saj, në mënyrë absolute dhe kategorike nuk kanë ndikuar te asnjë kandidat që ka paraqitur kërkesën që ai të tërhiqet nga gara. Kjo është absolute. Ka një garë që nuk po zhvillohet, por do zhvillohet në të ardhmen. Por ajo nuk e errëson madhështinë e këtij procesi. Janë tre degë të tjera, përveç Malësisë së Madhe, që janë në diskutim për koalicion me aleatët. Ky është realiteti. Në Malësinë e Madhe kishte kandidatë, por kishte disa probleme për të cilat është shtyrë gara”, u shpreh ai./tvklan.al

Primaret, Këlliçi: Demokratizon edhe më shumë PD-në

Kandidati i PD-së për primaret në Tiranë, Belind Këlliçi, u shpreh pasi votoi se ky proces demokratizon edhe më shumë Partinë Demokratike.

Gjatë fjalës së tij për gazetarët, Këlliçi tha se ka ardhur momenti që e gjithë vëmendja të kthehet tek qytetarët.

“Këtë radhë, dita e sotme është një festë demokraci, është një fuqizim i demokracisë, fuqizim i simpatizantëve dhe një proces, i cili forcon dhe demokratizon edhe më shumë PD-në. I uroj të gjithë kandidatëve të tjerë në garë, jo vetëm atyre të gjashtëve që janë me mua, që të jemi një ekip më 14 Maj dhe u uroj të gjithëve suksese dhe gjithë kandidatëve të tjerë që kanë hyrë në këtë proces primaresh u uroj suksese dhe beteja jonë e përbashkët e të gjithë demokratëve dhe opozitarëve është data 14 Maj, data në të cilën çdo qytetar shqiptar duhet të votojë kundër një regjimi që është instaluar përdhunshëm në këto 10 vite, por mbi të gjitha në këto 4 vitet e fundit ne kemi humbur çdo kontakt me pushtetin lokal qytetarët anë shërbimet më të këqija që mund të kenë pasur ndonjëherë. Ka ardhur momenti që e gjithë vëmendja të kthehet tek të gjithë qytetarët”, u shpreh Këlliçi.

Primaret, Alimehmeti: Për herë të parë sovraniteti i votës i kthehet qytetarëve

Demokratët votojnë sot në primare për të zgjedhur kandidatët që do t’i përfaqësojnë në zgjedhjet e 14 Majit.

Gara më e fortë është në Tiranë, ku kandidojnë 7 kandidatë. I pari që votoi ndër ta ishte Ilir Alimehmeti, i cili pati edhe një prononcim për mediat.

“Qytetarët e Tiranës vendosin për Tiranën. Për herë të parë i kthehet sovraniteti i votës qytetarëve. Largohet kjo nga forumet e partisë, largohet ky sovranitet nga kryetari i partisë dhe sot keni të drejtën ju të votoni për familjen tuaj, për komunitetin tuaj, për më të mirën që mendoni. Ju ftoj të vini masivisht për të votuar, të ushtroni të drejtën tuaj të votës e cila është e lirë dhe e fshehtë, në një garë që për herë të parë ndodh në Ballkan”, tha ai.

Sipas tij gjatë fushatës në Tiranë nuk ka pasur incidente.  

“Fushata ka qenë pozitive, nuk ka pasur incidente. Situatat të vogla, keqkuptimesh që zgjidhen në mënyrë shumë të thjeshtë. Të gjitha janë zgjedhur sipas modaliteteve dhe afateve në fuqi”, u shpreh Alimehmeti.

Primaret nisin me vonesë në Lezhë, shkak mungesa e listës së simpatizantëve

Ka nisur me 1 orë vonesë procesi i votimit për primaret e PD-së në Lezhë. Raportohet se shkak për këtë ka qenë mungesa e listës së simpatizantëve.

Megjithatë për momentin vazhdon normalisht votimi në Lezhë për 4 kandidatët Pashk Gjoni, Maks Kola, Salvador Kaçaj dhe Ergin Mataj. Siç duket nga pamjet ka një prezencë dhe interes të lartë të votuesve.

Ndërkohë në Laç edhe Mirditë votimi ka vazhduar normalisht në orën 8:00 pa asnjë vonesë ose problematikë./tvklan.al