Mbyllet pas 2 orë e 38 minutash protesta e 8-të kombëtare e opozitës së bashkuar, ku u kërkua largimi i Kryeministrit Edi Rama. Protesta ishte kryesisht e qetë dhe pa incidente, me përjashtim të një episodi para Parlamentit, ku protestuesit sulmuan forcat e policisë me lëndë piroteknike dhe kapsolle, e cila u kundërpërgjigj me ujë me presion si dhe gaz lotsjellës.

Protesta nisi në orën 19:00 para Kryeministrisë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku mbajti fjalën dhe kryetari i PD Lulzim Basha dhe më pas u zhvendos para Parlamentit dhe u mbyll me fjalimin përmbyllës të kryeopozitarit në selinë blu.

Ora 21:35 Flet Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazement Bardhi: Pavarësisht provokimeve të Ramës dhe Lleshajt protesta ishte model.

Ora 21:30 Disa persona janë duke bërë rezistencë efektivëve të policisë përpara Parlamentit. Ndërsa zëdhënësi i Policisë së Shtetit u bën thirrje organizatorëve dhe disa protestueve të largohen nga hyrja kryesore e Parlamentit.

Thirrja e policisë:”Merrni masa të menjëhershme që protestuesit të ndërpresin veprimet e dhunshme. Po dëmtoni e rrezikoni jetën e punonjësve të policisë. Si organizatorë të protestës, jeni përgjegjës përballë ligjit për mbarëvajtjen paqësore të tubimit, ndaj menjëherë merrni masa që protestuesit të ndalojnë hedhjen e kapsollave dhe lëndëve piroteknike, sendeve të forta në drejtim të Policisë.

Ora 21:29 Lulzim Basha përfundon fjalën nga selia blu.

Ora 21:10 Lulzim Basha flet nga selia e Partisë Demokratike. “Orët e tiranisë po marrin fund, ora e demokracisë po troket dhe nuk ka forcë ta ndalë sepse forca më e pamposhtme është populli i bashkuar. Fjalët nuk e përkufizojnë dot këtë pjesëmarrje në këto 4 muaj. Shenjë e qartë e shumicës dërrmuese të shqiptarëve që janë të vendosur për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zëri i sovranit nuk mund të injorohet. Forca jonë është pjesëmarrja, qëndresa vendosmëria dhe forca juaj është e pandalshme, “Rama Ik”. Është forca juaj që zgjoi vetëdijen e strukur nga propaganda kriminale e regjimit autokratik të Edi Ramës. Zëri juaj e tregoi qartë se kurrë popullit shqiptar askush nuk mund ti verë çizmen despotike mbi qafë, e aq më pak kreu i bandës kriminale në pushtet, “Rama Ik”. Forca jonë, forca juaj sa vjen dhe shtohet siç shtohen radhët e protestave tona, siç bëhet çdo dot më i madh bashkimi ynë. Kulari nuk do të jetë më në qafën e shqiptarëve. E sotmja është një betejë deri në largimin e Ramës, për zgjedhje të lira dhe të ndershme. E di zemërimin e zemrave që dhembin, nga fëmijët e pabukë dhe prindërit e papunë, me qindra halle. Unë e di zemërimin tuaj ndaj do jem në krahun tuaj deri në fitoren e kësaj proteste. Dua t’ju kërkoj sonte mirëkuptim tuaj që kjo natë e bekuar të mbesë me mesazhin se shumica jemi ne, jeni ju. Shqiptarët meritojnë dhe do kenë qeveri evropiane. Orët dhe ditët e ardhshme duhet të na gjejnë në këmbë, të fortë dhe të vendosur si asnjëherë më parë për të çuar këtë betejë në fitore. Përshëndes nga zemra, dhjetëra, qindra socialistë, vëllezër dhe motra që janë bashkuar me ne, që duan çlirimin e partisë së tyre nga krimi, u bëj thirrje njerëzve me përgjegjësi politike në PS: arrestoni krimin në kupolën tuaj, ndalni krimin në kupolën tuaj, merrni drejtimin e partisë, uluni në dialog pa Ramën kryeministër për një qeveri tranzitore, të garojmë e të vendosim së bashku standardin europian të zgjedhjeve. Nuk është vonë për ta shpëtuar PS-në nga krimi. Forcë që ta ndalë bashkimin popullor nuk ka dhe nuk do të ketë.

Ora 21:05 Kryetari i opozitës Lulzim Basha i drejtohet selisë së Partisë Demokratike.

Ora 21:03 Disa protestues hedhin kapsolle në drejtim të Parlamentit ku ndodhe dhe efektivë të policisë. Policia i bën thirrje kryetarit të opozitës Luzlim Basha të largojë protestuesit.

Ora 20:58 Policia ndërhyn duke përdorur gazin lotsjellës dhe ujë me presion në mënyrë që protestuesit të shpërndahen.

Ora 20:56  Presidenti i Republikës, Ilir Meta i bën thirrje udhëheqësve të opozitës të ndalojnë protestën para Parlamentit dhe qytetarët të shpërndahen paqësisht.

Ora 20 :55 Policia bën thirrje nga qendra e zërit që protestuesit të ndërpresin hedhjen e kapsollave dhe lëndëve piroteknike në drejtim të efektivëve të policisë.

Ora 20:53  Protestuesit e mbërritur tek Parlamenti kanë nisur të hedhin lëndë piroteknike.

Ora 20:37 Protestuesit nisen me telefona ndezur drejt Parlamentit

Ora 20:34 Pasi përfundoi fjalën e tij, kryedemokrati Lulzim Basha ftoi protestuesit të ndezin dritën e telefonave të tyre dhe të nisen drejt Parlamentit duke e konsideruar si drita e shpresës, që simbolizon fundin e errësirës.

 Ora 20:30 Basha: Largimi i Ramës është i panegociueshëm!

“Në emrin tuaj dua të siguroj këdo, mik e aleat që na dëgjon sot për zotimin tonë të parë, ditën e parë të kësaj beteje me 16 Shkurt, se ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se parimet, vlerat e normat e standardet e Evropës demokratike, se normat e standardet e SHBA-ve. Ne kërkojmë liri, demokraci, sundim të ligjit, ndarje dhe balancim të pushteteve. Por nuk do të pranojmë asgjë më pak. Me këtë vetëdije jemi mbledhur tash 4 muaj, në këtë manifestim kombëtar force e vizioni, në këtë fuqi shpirtërore të papërballueshme. Me këtë fuqi do të vazhdojmë betejën tonë, orë e minutë, natë e ditë, sepse ora e fitores po afron. Rruga e daljes nga kjo krizë e thellë politike nuk ka as pse të shpiket, as pse të klonohet”.

Ora: 20 :15 Kryetari i opozitës ju bën thirrje protestuesve të mos prekin efektivët e policisë

“Vëllezër dhe motra, ju bëj thirrje të mos ndërmerrni asnjë veprim që dëmton protestuesit apo vëllezërit tanë në uniformë. Zemërimi juaj është iligjshëm, por ka vetëm një njeri që do dhunë, ka vetëm një njeri që lutet për dhunë, dhe ky është njeriu që do t’i shpëtojë gjykimit të popullit, do ti shpëtojë gjykimit të Evropës. Ky është Edi Rama dhe banda e tij. Nuk do ti shpëtojë, gjykimi i Europës po vjen, gjykimi i popullit është u pashmangshëm”.

Ora 20: 10 Basha flet për shfuqizmin e zgjedhjeve nga ana e Presidentit.

6 netë më parë u zotova para jush se nuk kisha më fjalë, prandaj më lejoni të shpjegoj pse po e marr fjalën sot. Kjo javë e mbushur me zhvillime  në Shqipëri, Gjermani, Europë të cilat janë të lidhura me fatin e vendit tonë, drejt Europës kanë marrë një kthesë, ndaj me lejoni ta nis duke ju falënderuar ju që jeni forca e pandalshme e ndryshimit që po vjen.  Në këto momente që po flas, ashtu siç e keni dëgjuar, falë vendosmërisë tuaj të pathyeshme falë bashkimit më të paparë të mendjeve e zemrave të shqiptarëve të lirë, Presidenti i republikës ka marrë vendimin për anulimin e 30 qershorit, datës së planifikuar nga regjimi kriminalo autokratik i bandës së Edi Ramës për të ekzekutuar krimin e shëmtuar elektoral, për të kapur përmes një procesi monist antikushteutes, antielektoral, antiligjor dhe kriminal, pushtetin vendor. Vëllezër dhe motra kjo është vetëm rezultat i forcës tuaj të pathyeshme, i qëndresës tuaj i besimit tuaj të palëkundur tek vlerat evropiane, të lirisë, të demokracisë, të dinjitetit.

Ora 20: 05 Kryetari i opozitës Lulzim Basha i bashkohet protestuesve.

Ora 19:57  Ish kryeministri Sali Berisha bashkohet me protestuesit që brohorasin  “Rama Ik”.

Ora 19:50 Lulzim Basha dhe aleatët e opozitës janë nisur nga selia blu dhe janë drejtuar drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për tu bashkuar me protestuesit. Në protestën e kësaj të shtune nuk mungojnë dhe parullat lidhur me zhvillimet e fundit ku gazeta gjermane “Bild” publikoi 6 audio përgjime në qendër të të cilave është Astrit Avdylaj, i arrestuar në kuadër të operacionit ‘Volvo 4’. Avdylaj bisedon në telefon me Vangjush Dakon dhe zyrtarë të tjerë lokalë, të cilëve iu bën presion për votat apo për favore të tjera.

Ora 19: 40:  Të shumtë janë protestuesit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” duke thirrur “Rama Ik”. Me flamuj të Partisë Demokratike, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian brohorasin në një zë duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.

Ora 19:30: Rama i përgjigjet Metës: Zgjedhjet do bëhen, janë të popullit shqiptar.

“Sapo më solli një letër vajza, më thotë se zoti President paska shfuqizuar datën e zgjedhjeve. Përsëri gabim dhe përsëri unë po ju them zgjedhjet do të bëhen me datë 30 Qershor.  Nuk jam i befasuar, e prisja edhe këtë dhe nuk është asgjë tjetër veçse mbyllja e një rrethi të një plani të bërë me kohë për një arsye të vetme për arsyen se nuk kurohet shtyrja e zgjedhjeve, kërkohet marrja zvarrë e kësaj qeverie dhe kërkohet varrimi i reformës në drejtësi, ky është thelbi, nuk ka asgjë tjetër. Por as qeverinë nuk e marrin dot zvarrë dhe as reformën në drejtësi nuk e varrosin dot  dhe ne në 30 Qershor do të bëjmë zgjedhje, sepse nuk janë të partive dhe as të presidenti, zgjedhjet janë të popullit shqiptar”.

Ora 19:20 Presidenti Meta shfuqizon dekretin për zgjedhjet e 30 Qershorit

Presidenti Ilir Meta ka shfuqizuar dekretin për zgjedhjet vendore të 30 Qershorit. Sipas kreut të shtetit, ky veprim është kryer “me vetëdije të plotë se kushtet aktuale nuk mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të vërteta, demokratike, përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse”.

Ora 19:05  Të rinjtë e FRPD-së e nisën protestën me një qeli lëvizëse të improvizuar ku brenda saj ndodheshin dy persona, njëri me maskën e kryeministrit Edi Rama dhe tjetri me maskën e kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.

Ora 19: 00 Opozita e bashkuar ka nisur protestën e 8-të kombëtare duke kërkuar largimin nga detyra të Kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore për të organizuar zgjedhje të lira.

Me dhjetëra qytetarët janë mbledhur përpara Kryeministrisë me flamuj në duar duke thirrur “Rama Ik”. Në protestë nuk mungojnë dhe protestues nga rrethet.

Partia Demokratike ka deklaruar se protesta do të jetë paqësore. Më herët ka dalë në një deklaratë për mediat numri 2 i kësaj force politike, Gazment Bardhi i cili përjashtoi çdo skenar dhune. Gjithashtu kryedemokrati Lulzim Basha është shprehur në rrjetet sociale se nuk do të ketë asnjë hap pas dhe e ka cilësuar si një fitore dhe ka ftuar të gjithë shqiptarët të bashkohen në protestës e ditës së sotme për t’i treguar kryeministrit Edi Rama se populli ia ka hequr vizën.

Ndryshe nga të gjitha protestat e tjera kur janë mësuar detaje këtë herë nuk ka ende të përcaktuar nëse kreu u opozitës Basha do të mbajë një fjalim përpara protestuesve në tubimin e orës 19:00.

Ndërsa opozita deklaron se protesta do të jetë paqësore Policia e Shtetit në një dalje për mediat paraditen e sotme deklaroi se disponon informacione shqetësuese se protesta mund të çojë në dhunë si dhe i bëri thirrje organizatorëve që të marrin përgjegjësitë dhe të mos lejojnë devijimin e tubimit. Reagimi i bluve do të jetë në proporcion të situatës së krijuar nga protestuesit. Për mbarëvajtjen e protestës do të angazhohen 1700 forca policore.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara paralajmërojnë hapur drejtuesit e opozitës të heqin dorë nga çdo formë dhune në protestat e organizuara prej tyre. Zëvendës Ndihmës-Sekretar i Shtetit në SHBA, Matthew Palmer është i drejtpërdrejtë në mesazhin ndaj kryetarëve të PD e LSI: Dua të jem shumë i qartë me Z. Basha, Znj. Kryemadhi dhe të tjerë në partitë e tyre: nëse në protestat e ardhshme ka akte dhune, për ne ata do të jenë përgjegjësit. Ka qenë shumë e qartë në të kaluarën që kur drejtuesit duan që protestat që të jenë paqësore, ato kanë qenë paqësore. Demonstratat e dhunshme po dëmtojnë përpjekjet e Shqipërisë për reforma demokratike si dhe perspektivën e vendit për të ecur përpara në rrugën drejt BE”.

Në mbylljen e protestës së 2 Qershorit, Lulzim Basha paralajmëroi kryeministrin Edi Rama ku tha se argumentat për të kanë mbaruar dhe fjalën në protestën e sotme do e ketë sovrani./tvklan.al