Meteorologët: Temperaturat do të bien të mërkurën

Kjo e martë është dita e fundit e valës më të nxehtë në Shqipëri.

Sipas meteorologëve temperatura do të përbëjë një rekord dhe parashikohet të tejkalohet maksimumi i arritur më 21 korrik në Elbasan prej 43.2 gradësh.

“Të martën është edhe kulmi i tretë i valës. Parashikohet që në zonat e izoluara në qarqet Elbasan dhe Berat të regjistrohen vlera 43 gradë”, tha Lajda Porja.

Por pas më shumë se dy javë të ferrit nga i nxehti, meteorologët parashikojnë se nga e mërkura do ketë rënie drastike të temperaturave me 6-7 gradë dhe rikthim të momenteve të pakta me pika shiu.

“Dita e mërkurë do të jetë me maksimalet jo më shumë se 36 gradë Celsius. Kemi një tërheqje dhe freskimi do të jetë i menjëhershëm”, tha Porja.

Me tërheqjen e temperaturave përvëluese, problematike do jetë era, që do rrezikojë përhapjen e flakëve në vatrat e aktivizuara në Fier dhe Vlorë.

“Të martën, të mërkurën dhe të paktën deri të premten të kemi një erë mesatare herë pas here, në momente të veçanta edhe e fortë duke sjellë probleme në të cilat ka vatra zjarri”, tha Porja.

Muaji Gusht pritet të vijë me temperatura të nxehta, por jo kaq ekstreme sa i përjetuam këtë Korrik.

Tv Klan