PËRDITËSIMI I FUNDIT NË ORËN 00:23

Ka përfunduar me marrëveshje takimi disa orësh në Ohër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Temë diskutimi ishte zbatimi i një propozimi të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve. Ndërmjetësues në këtë tryezë ishin përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia kanë arritur një dakordësi për implementimin e aneksit të marrëveshjes për të normalizuar marrëdhëniet mes tyre. Borrell u shpreh se palët janë plotësisht të angazhuara për të respektuar të gjitha nenet e marrëveshjes dhe për të zbatuar detyrimet e tyre të ndërsjella në mënyrë të shpejtë dhe me besim të mirë.

Takimet nisën që në orën 10:30 të kësaj të shtune. Ato kanë vijuar intensivisht me gjithsej dy pauza.

Kurti dhe Vuçiç u takuan fillimisht ndarasi me përfaqësuesit e BE-së, Borrell dhe Lajçak dhe të dërguarin e SHBA-së, Gabriel Escobar.

Një ditë para takimit, Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken ka biseduar në telefon me shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell. Në një deklaratë të përbashkët dy zyrtarët thonë se tani është momenti për të bërë hapa domethënës në interes të Kosovës dhe Serbisë dhe për procesin integrues.

Në Ohër ndodhej edhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ai merrte pjesë në takim në cilësinë e vëzhguesit.

Ora 00:23Rama: Të shpresojmë që djalli nuk fshihet në detaje dhe marrëveshja e panënshkruar të kthehet në realitet

Kryeministri Edi Rama, reagimin e tij për marrëveshjen e arritur në Ohër të shtunën mes Kosovës dhe Serbisë, zgjodhi ta nisë me një shprehje që përdori shefi i politikës së jashtme të BE, Josep Borrell, i cili në konferencën për shtyp tha: “Shpesh thuhet se djalli është në detaje, por ndonjëherë djalli është në kalendar”.

“Le të shpresojmë që djalli nuk po fshihet në detaje sonte dhe që marrëveshja e pajtuar, por jo e nënshkruar, nuk është një dredhi tjetër ballkanike!”, shkruajti Rama në një postim në Twitter, ndërsa shtoi se “në të kundërt, kjo do të ishte një arritje historike që do të njoftonte një pranverë të kërkuar prej kohësh në marrëdhëniet midis dy kombeve më të mëdha ballkanike, Kosovës dhe Serbisë”.

Rama përgëzoi palët dhe uroi që kjo marrëveshje të kthehet në një realitet të ri, të pakthyeshëm, në marrëdhëniet mes dy vendeve, por edhe në marrëdhëniet mes Ballkanit Perëndimor dhe BE.

“Dhe le të përgëzojmë sinqerisht katër protagonistët e tavolinës së Ohrit sot, duke uruar që marrëveshja e panënshkruar të kthehet në një realitet të ri të pakthyeshëm mes Kosovës dhe Serbisë, shqiptarëve dhe serbëve, Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian“, shkruajti Rama.

Ora 23:46 – Kurti: Marrëveshja është njohje de facto. Pala tjetër po i ikën nënshkrimit

Albin Kurti, pas bisedimeve që zgjatën mbi 12 orë në Ohër, tha se ishte arritur pajtim publik, por pala serbe nuk pranoi sërish të nënshkruante. Kryeministri i Kosovës theksoi se marrëveshja është njohje de facto e Kosovës nga Serbia.

Ne erdhëm në Ohër për të nënshkruar marrëveshjen bazë me aneksin e zbatimit. Kemi arritur pajtim publik për një aneks që do të udhëzojë zbatimin e marrëveshjes bazë. Pala tjetër njësoj si në takimin e fundit në Bruksel, më 27 Shkurt po i ikën nënshkrimit të marrëveshjes, tash edhe me aneks. I takon BE që ta gjejë mekanizmin që ta bëjë statusin e kësaj marrëveshje ligjërisht, ndërkombëtarisht të obligueshme. Sa për aneksin e zbatimit ai do të publikohet në faqen e BE dhe aty dot ta lexoni e kuptoni edhe çka ka edhe çfarë s’ka”.

“Marrëveshja bazë është njohje e ndërsjellë de facto. Natyrisht që ka dhe gjëra të tjera”, tha mes të tjerash Kurti, ndërsa shtoi: “Ajo çfarë ka ndodhur është njohja de facto më 27 shkurt dhe tash me aneksin e zbatimit”.

Sa i përket asociacionit, Kurti tha se nuk do të ketë një të tillë, por do nisë një proces i vetëmenaxhimit të komunitetit serb në veri të Kosovës.

Ora 23:39 – Escobar: Marrëveshje e vështirë, por e nevojshme

I dërguari i Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, deklaroi se Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje “të vështirë, por të nevojshme”.

Pas raundit të dialogut të zhvilluar në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në të cilin Escobar mori pjesë në cilësinë e vëzhguesit, zyrtari i lartë amerikan tha se arritja e pajtimit për zbatimin e propozimit evropian mundëson që Kosova dhe Serbia të ecin drejt integrimeve euroatlantike.

“Dua të uroj palët për arritjen e një marrëveshjeje të vështirë, por të nevojshme për të arritur një marrëdhënie paqësore dhe të parashikueshme midis tyre. Kjo jo vetëm që hap derën për integrime më të mëdha euroatlantike për të dyja shtetet, por hap derën edhe për rajonin për të hyrë në një epokë të re të paqes”, tha ai.

Kur u pyet se pse liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk e nënshkruan marrëveshjen, Escobar tha se i beson mekanizmit të Bashkimit Evropian për zbatimin e aneksit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“U jam falenderues partnerëve tanë evropianë që na sollën në këtë pikë dhe jam mirënjohës edhe ndaj dy liderëve që kishin guximin politik për të arritur atë që arritën sonte”, tha Escobar.

23:18 – Borrell: Kemi një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, përmes një konference për media nga Ohri bëri publike përfundimet e arritura në takimin mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me ndërmjetësimin e zyrtarëve evropianë.

Borrell, tha se Kosova dhe Serbia kanë arritur një dakordësi për implementimin e aneksit të marrëveshjes për të normalizuar marrëdhëniet mes tyre. Ai u shpreh se palët janë plotësisht të angazhuara për të respektuar të gjitha nenet e marrëveshjes dhe për të zbatuar detyrimet e tyre të ndërsjella në mënyrë të shpejtë dhe me besim të mirë.

“Objektivi sot ishte që Kosova dhe Serbia të binin dakord sesi të implementonin marrëveshjen e pranuar në takimin e fundit. Marrëveshja ishte e arritur në shkurt, por sot çështja ishte për të parë sesi do të implementohej. Shpesh thuhet se djalli qëndron në detaje, por nganjëherë djalli qëndron në kalendar. Ne kemi diskutuar për 12 orë rreth kësaj, dhe më në fund kemi një marrëveshje, një dakordësi. Kosova dhe Serbia kanë arritur një dakordësi për implementimin e aneksit të marrëveshjes për të normalizuar marrëdhëniet mes tyre. Palët kanë rënë dakord për të respektuar këtë marrëveshje, të gjitha obligimet që kanë nga ajo.”

Borrell tha po ashtu se Bashkimi Europian do të kërkojë me forcë nga të dyja vendet që të përmbushin detyrimet dhe se mospërmbushja e tyre do të ketë pasoja.

Zyrtari europian tha se palët u pajtuan që të respektojnë të gjitha nenet e marrëveshjes së 27 Shkurtit.

“Për zbatimin e nenit 7, Kosova është pajtuar të nisë menjëherë negociatat në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të krijuar rregullime specifike dhe garanci në mënyrë që të sigurojë një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”, tha ai. Ky nen është parë si referencë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deri më tani ka refuzuar që ta themelojë.

Zyrtari i lartë evropian po ashtu tha se në takim, Kurti dhe Vuçiç kanë mbështetur “deklaratën për personat e zhdukur, ashtu siç është negociuar në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, si çështje urgjente“.

23:06 – Vuçiç: Arritëm një lloj marrëveshjeje

“Arritëm një lloj marrëveshjeje”, tha Vuçiç pas takimit që zgjati gati 12 orë në Ohër, me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, ku të pranishëm ishin përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Vuçiç tha se ishte ndarë i kënaqur nga ky takim. Ai u shpreh se ka njëlloj marrëveshje mes palëve, por duhen biseduar edhe më tej disa pika. “Patëm një bisedë të qetë, konstruktive, tha Vuçiç mes të tjerash”.

“Ka disa pika për të cilat kemi rënë dakord, do të jenë pjesë e kornizës së negociatave për të dyja palët, si për Beogradin, ashtu edhe për Prishtinën. Këshilli Evropian do të marrë një vendim që kjo të bëhet pjesë e vendimit të negociuar”, tha presidenti serb.

“Ka shumë gjëra për të cilat nuk jemi pajtuar, sepse është puna jonë që të trajtojmë shumë mospajtime, që të gjejmë një rrugë, për një të ardhme më të mirë për popullin serb dhe atë shqiptar“, shtoi Vuçiç.

I pyetur nëse është nënshkruar diçka gjatë ditës së sotme, Vuçiç tha: “Kurti ka kërkuar gjithë ditën që të nënshkruajmë”. 

Ora 22:43 – Maratona e bisedimeve, çfarë ndodhi në takimin Kurti-Vuçiç?

Një maratonë shumëorëshe bisedimesh është zhvilluar në Ohër mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiçit me shefin e diplomacisë europiane, Josep Borell dhe ndërmjetësin për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak. Bisedimet u zgjatën me shumë nga çfarë ishte planifikuar.

Diskutimet u përqendruan në planin e zbatimit të propozimit europian për përmbajtjen e të cilit palët u dakorduan më 27 shkurt në Bruksel.

Një nga nenet e tij kërkon nga të dyja vendet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në 12 vjetët e fundit ku përfshihet edhe pika që ka të bëjë me bashkësinë e komunave me shumicë serbe në veriun e Kosovës.

Kosova dhe Serbia janë të angazhuara në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011.

Diplomacia europiane dhe ajo amerikane kërkojnë marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve brenda këtij viti ndërsa pala që do të hezitojë nënshkrimin e saj është kërcënuar me sanksione deri në ndërprerjen e ndihmës financiare.

Ora 22:13 – Në qendrën mediale në Ohër edhe Gabriel Escobar

I dërguari i Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, ka qenë i pranishëm në takimet në Ohër në cilësinë e vëzhguesit. Pas përfundimit të bisedimeve, ai është parë në hotelin ku është vendosur qendra mediale.

Escobar, i tha më herët gjatë ditës Radios Evropa e Lirë, se “nuk jemi të fokusuar te nënshkrimi, por te finalizimi i marrëveshjes”.

Ende nuk dihet nëse zyrtari i lartë amerikan do të prononcohet për mediat pas përfundimit të raundit të bisedimeve.

Foto e përcjellë nga REL

Ora 21:57 – Përfundon takimi mes Kurtit e Vuçiçit në Ohër

Ka përfunduar takimi në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, pritet që së shpejti të dalë në konferencë për media, pas gati 12 orë bisedimesh mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një postim në Twitter.

“Takimi i nivelit të lartë Kosovë/Serbi, me ndërmjetësimin e BE në Ohër ka përfunduar. Josep Borrell do të bëjë të ditura për pak rezultatet”, shkruajti Stano.

Ora 20:45 – Tjetër pauzë në takimin Kurti-Vuçiç në Ohër

Në Ohër të Maqedonisë së Veriut, liderët e Kosovës dhe Serbisë, kanë ndërprerë përkohësisht bisedimet, për t’u rikthyer sërish pas një pauze.

Takimet në Ohër, mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nisën në orën 10:30.

Fillimisht, Kurti dhe Vuçiç zhvilluan takime veç e veç me ndërmjetësuesit evropianë dhe më pas nisi takimi trepalësh, ku palët diskutuan për zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e raporteve.

Më herët gjatë ditës, takimi trepalësh u ndërpre për mbi një orë, po ashtu për shkak të një pushimi. (REL)

Ora 19:57 – Gazetarët në pritje pas 9 orë bisedime

Teksa liderët e Kosovës dhe Serbisë po zhvillojnë bisedime nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, siç shkruan REL, shumë gazetarë janë duke e përcjellë këtë ngjarje nga qendra mediale në Ohër.

Qendra mediale është vendosur në një objekt tjetër, afër vilës ku po mbahen bisedimet. Zhvillimet po i ndjek nga afër edhe gazetarja e Tv Klan, Blerta Dalloshi Berisha.

Bisedimet, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë nisur nëntë orë më parë.

Ahmeti takon Escobar: Me rëndësi jetike zgjidhja e kontestit mes Kosovës dhe Serbisë

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka realizuar sot takim me Gabriel Escobar, Përfaqësues Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

“Diskutuam mbi rëndësinë jetike të zgjidhjes së kontestit mes Kosovës dhe Serbisë për stabilitetin dhe ardhmërinë europiane të mbarë rajonit. Shpreha mirënjohje për rolin e jashtëzakonshëm të SHBA-së, në të gjitha proceset e paqebërjes dhe konsolidimit demokratik të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Ahmeti.

18:22 – Kurti e Vuçiç u kthehen bisedimeve

Pas një pushimi mbi një orësh, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç kanë rinisur bisedimet.

Dy udhëheqësit po takohen me ndërmjetësimin e zyrtarëve të BE-së për të diskutuar zbatimin e një plani evropian për normalizimin e marrëdhënieve.

BE tha më herët se Kurtit dhe Vuçiçit do t’u prezantojnë një “plan të konsoliduar” të zbatimit të këtij propozimi, që synon t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje përfundimtare.

Ora 16:48 – Përfundon raundi i parë i takimit të përbashkët Kurti-Vuçiç në Ohër

Ka përfunduar raundi i parë i takimit mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me ndërmjetësimin e zyrtarëve evropianë, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Paraprakisht, ata takuan ndaras shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Temë diskutimi ishte zbatimi i një propozimi të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, përmes një konference për media nga Ohri, tha se Borrell do të shprehet në fund të ditës për rezultatet e këtyre takimeve.

“Borrell do të shprehet në fund të ditës. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja gjithmonë bëhet në Bruksel, dhe atje asnjëherë nuk bëjmë ndonjë gjë në lidhje me mediat, vetëm një deklaratë nga Borrell, që është lehtësuesi kryesor, pra në fund të takimit.  Pra, në fund të këtij takimi ai do të vijë këtu, nuk e dimë kohën, nuk e dimë se sa të zgjasin takimet, por do ju informoj përmes kolegëve të mi këtu dhe në Twitter”, tha Stano në këtë konferencë për mediat.

Ora 15:29 – Kurti dhe Vuçiç përballë njëri-tjetrit, nis takimi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nisën takimin e përbashkët, me ndërmjetësimin e zyrtarëve evropianë, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Paraprakisht, ata takuan ndaras shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Në axhendë janë diskutimet për zbatimin e propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Ora 15:07 – Zëdhënësi i BE-së për takimin Kurti-Vuçiç: Mund të zgjasë deri në mbrëmje

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka bërë të ditur se ka nisur takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Stano, në një konferencë nga Ohri, tha se takimi mund të zgjasë deri pasdite apo në mbrëmje.

“Nuk mund të deklaroj asgjë për takimet pasi përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, në fund të ditës do të mbajë konferencë. Nuk e di kohën dhe nuk e di se sa do të zgjasë takimi, dialogu në takime nuk dihet se sa mund të zgjasë, deri në mbrëmje ose dikur vonë pasdite. Kur ky raund i ri i dialogut do të përfundoj atëherë përfaqësuesi i lartë do të dalë në konferencë dhe do të tregojë. Nuk do të them asgjë për përmbajtjen dhe njësoj veprojmë edhe në Bruksel. Nuk diskutojmë për atë që është duke u diskutuar në takim”, tha Stano.

Ora 14:01 – Ahmeti optimist nga takimi në Ohër: Nuk ka rëndësi nënshkrimi sa ka rëndësi dakordimi

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti në një intervistë të shkurtër për Klan Macedonia ka folur rreth takimit mes Beogradit dhe Prishtinës zyrtare që po zhvillohet aktualisht në Ohër. Ahmeti shprehet optimist për arritjen e një marrëveshjeje, sips tij, shumë të rëndësishme për paqen në rajon.

“Shpresoj që palët të mos kenë doza rezerve, t’i tejkalojnë dallimet dhe të arrihet dakordësia dhe nuk është me rëndësi sot nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje, por me rëndësi është dakordësia ne mes palëve për marrëveshje dhe le të nënshkruhet atje ku edhe ka filluar si iniciativë, në Paris a në Berlin, kjo nuk ka rëndësi. E rëndësishme  është që palët sot të dakordohen mbi këtë marrëveshje”, deklaroi për Klan Maqedoni, Ali Ahmeti.

Ahmeti theksoi se ka inkurajuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për arritjen e marrëveshjes sepse sipas tij, kjo është në të mirë të gjeneratave të ardhshme.

Ora 13:26 – Bujar Osmani: Shpresojmë që sot të arrihet marrëveshja “Ohri 2”

Ministri i Jashtëm në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani, thotë se shpreson që sot në mes Kosovës dhe Serbisë të arrihet marrëveshja “Ohri 2”.

Osmani, në një intervistë për Klan Kosova, tha se Maqedonia e Veriut inkurajonë të dyja palët që të arrijnë marrëveshje sot.

“Ne jemi si delegacion – nikoqir të këtij dialogu për të mundësuar fillimisht kushte për një dialog të mirëfillte dhe për të inkurajuar palët për një zgjidhje me qëllim të stabilizimit të Ballkanit Perëndimor”.

“Të gjithë jemi në shpresë por vendimi do të merret nga palët në tavolinë. Ne shpresojmë që vërtetë do të jetë ditë historike – në atë që po e quajmë Ohri 2 sepse ambientet e njëjta në të cilat është zhvilluar dialogu për marrëveshjen e Ohrit – njëra prej marrëveshjeve më të mira të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Brukseli”.

“Mbase simbolika se pse është zgjedhur Ohri është kjo, por edhe arsyeja se pse është zgjedhur Maqedonia e Veriut është si mirënjohje për rolin e saj për ruajtjen e stabilitetit në rajon”, u shpreh Osmani. (klankosova)

Ora 12:24 – Kurti takon ndërmjetësuesit evropianë

Albin Kurti në Ohër

ryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nisi takimin me ndërmjetësuesit evropianë të dialogut Kosovë-Serbi.

Paraprakisht, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, takuan presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Në fund do të zhvillohet takimi i përbashkët.

Ora 12:07 – Escobar: Nuk jemi të fokusuar te nënshkrimi, por te finalizimi i marrëveshjes

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, po qëndron në Ohër prej nga foli të shtunën për Radion Evropa e Lirë.

Ai u shpreh se SHBA nuk është fokusuar tek nënshkrimi, por tek finalizimi i marrëveshjes.

Escobar do të marrë pjesë në takimet e Ohrit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në cilësinë e vëzhguesit.

Ndërmjetësues të takimit Kurti-Vuçiç janë shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Kliko KËTU për të lexuar intervistën

Ora 11:48 – Nis takimi i Vuçiç me Borrell dhe Lajçak

Ka nisur takimi i Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me përfaqësuesit e BE-së kryediplomatin Josep Borrell dhe të dërguarit special, Mirosllav Lajçak.

Pas këtij takimi, Borrelli dhe Lajçaku do të takohen edhe me kryeministrin Albin Kurti, ndërkohë që rreth orës 12:00 do të fillojë takimi trelateral.

Ora 11:43 – Stoltenberg pret nga Kurti dhe Vuçiç bisedime konstruktive për progres

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka folur në lidhje me takimin e sotëm të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Ohër.

Stoltenberg me anë të një postimi në Twitter, ka shkruar se pret nga Kurti dhe Vuçiç progres, pasi sipas tij, ky është çelësi për të ardhmen evropiane dhe euroatlantike të rajonit.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian në Ohër janë të rëndësishme dhe unë pres nga Aleksandar Vuçiç dhe Albin Kurti që të angazhohen në mënyrë konstruktive për të bërë progres. Ky është çelësi për stabilitetin e qëndrueshëm dhe të ardhmen evropiane dhe euroatlantike të rajonit. @NATO_KFOR vazhdon të punojë për një Kosovë stabile dhe paqësore”, ka shkruar Stoltenberg.

Ora 10:47 – Kurti nga Ohri: Do të kemi bisedime për planin e zbatimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për mediat pas takimit që pati me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti.

“Ditën e filluam me kryetarin Ali Ahmeti, pastaj me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Kovaçevski, e tash edhe me emisarin e posaçëm për Ballkanin, zotin Escobar nga DASH. Nga këtu do të shkoj në takim me presidentin Pendarovski, e më pastaj kemi takime bilaterale me ndërmjetësit evropian, me Borrellin dhe Lajçakun, që i paraprin takimit trilateral”, tha Kurti.

Kurti tha se është optimist dhe do të bëjë më të mirën për Kosovën.

“Jam optimist, jam i vëmendshëm dhe do të bëjmë më të mirën për Republikën e Kosovës, kushtetutshmërinë, sovranitetin, integritetin territorial, interesin publik dhe popullit për të gjithë qytetarët pa dallim, sepse unë jam kryeministër i republikës i të gjithë qytetarëve pa dallim. Me këtë rast, përveçse jam optimist, kam ardhur me qëllim dhe vullnet të mirë, dhe në mirëbesim që dakordimin e arritur më herët, që fatkeqësisht nuk u nënshkrua në Bruksel më 27 shkurt, ta vazhdojmë përmes bisedimeve për planin e zbatimit dhe në këtë mënyrë ta rrumbullakojmë marrëveshjen për normalizim”.

“Do të kemi bisedime për planin e zbatimit sepse nuk ka tekst të përfunduar. Përderisa nuk ka tekst të përfunduar, nuk mund të ketë përfundim të bisedimeve, e përderisa nuk ka përfundim të bisedimeve nuk mund të ketë marrëveshje. Unë jam këtu për dialog parimor, të hapur, serioz që duhet të rezultojë në marrëveshje, e marrëveshja nënkupton tekst përfundimtar dhe të dakorduar. Nuk kam ardhur për bisedime për bisedime, por për bisedime për marrëveshje”, tha Kurti. (klankosova)

Ora 10:41 – Vuçiç takon kryeministrin e Maqedonisë së Veriut

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, takoi në Ohër kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Takimi u zhvillua në prag të bisedimeve të Vuçiqit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në një postim në Instagram, Vuçiç e falënderoi Kovaçevskin për mikpritje dhe dëshirën e tij “për të kontribuar në vazhdimin konstruktiv të dialogut”.

Ora 10:38 – Borrell: Sytë e BE-së dhe Balllkanit Perëndimor janë në Ohër sot

Josep Borrell ka reaguar në rrjetet sociale para takimit Kurti-Vuçiç që do të ndërmjetësojë ditën e sotme. Ai shprehet se sytë e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor janë në Ohër sot. Po ashtu, bën me dije se do të diskutohet aneksi i zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Sytë e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor janë në Ohër sot. Pas diplomacisë intensive ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës do të diskutojë me Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurtin aneksin e zbatimit, pjesë integrale e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”, tha ai.

“Vila Biljana” aty ku shkruhet historia, Perëndimi me sytë nga Ohri

Të filmoje rreth “Vila Biljana”, rezidenca verore e ish-presidentit komunist të federatës asokohe jugosllave, Josip Broz Titos ishte e vështirë për rreth 200 gazetarë të pranishëm në Ohër. Policia maqedonase kishte marrë masa të rrepta që Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç të ndiheshin në komfortin e duhur në bisedime dhe të qartë se prej tyre pritet kompromis. Kjo vilë qeveritare gjendet në një kodër rreth një pylli 6 kilometra larg qytetit të Ohrit.

Në këto ambiente, më 13 Gusht të vitit 2001, u nënshkrua marrëveshja kornizë që i dha fund konfliktit të armatosur mes shqiptarëve dhe maqedonasve dhe që shihet si garantuesja e bashkëjetesës ndëretnike dhe bashkëqeverisjes.

Më atë marrëveshje për shqiptarët e Maqedonisë u dhanë më shumë të drejta. Shqipja u bë gjuhë zyrtare në zonat ku popullsia shqiptare është 20% dhe u zgjerua prania e shqiptarëve në forcën policore. Për të arritur tek nënshkrimi i kësaj marrëveshje, u desh një rrugë e gjatë dhe e mundimshme. Ishte lufta e UÇK shqiptare e udhëhequr nga Ali Ahmeti që influencoi në bisedime.

Marrëveshja e Ohrit u arrit pas dhjetë ditë negociatash intensive, mes forcave kryesore politike dhe me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar ku rol vendimtar kanë pasur SHBA-ja dhe BE-ja.

Presidenti serb Vuçiç para takimit hodhi sytë drejt liqenit e maleve përballë që i përkasin Shqipërisë. Të dy palët zhvillojnë bisedimet nën presion. As Kurti e as Vuçiç nuk kanë marrë pëlqimin e opozitave në vendet e tyre madje në Beograd u zhvilluan sërish protesta një natë para takimit të Ohrit. Në orët para takimit Vuçiç mori vesh edhe urdhrin e arrestit për homologun rus Putin dhe u tha serbëve se duhet gjetur një zgjidhje për të bashkëjetuar me shqiptarët.

Maqedonia e Veriut u vetëofrua për të siguruar mbarëvajtjen e këtij takimi që për herë të parë u zhvillua në një shtet të rajonit tonë ku krahas marrëveshjeve mes shqiptarëve dhe maqedonase u realizua edhe ajo me Greqinë që u dha fund mosmarrëveshjen për emrin e shtetit fqinj.

Ora 10:07 – Kurti takon në Ohër kryetarin e BDI-së, Ali Ahmetin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takoi në Ohër Ali Ahmetin, kryetar i partisë shqiptare në Maqedoni të Veriut, Bashkimi Demokratik për Integrim.

Dy zyrtarët biseduan në prag të takimit të Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Asnjëri prej tyre nuk u deklarua për media.

Ora 09:57 – A pritet që të ketë ndonjë marrëveshje sot? Si përgjigjet Kurti

Gazetarja Blerta Dalloshi Berisha raporton se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar mëngjesin e së shtunës me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar para takimit me Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Më pas, ai ka takuar edhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski. Një takim, Kurti do ta zhvillojë edhe me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. Pas këtij takimi, ai pritet të takohet me ndërmjetësin e dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

I pyetur nga gazetarët nëse pritet të ketë ndonjë marrëveshje ditën e sotme, Kurti tha se do t’u drejtohet gazetarëve pas takimit të radhës.

 “Pas këtij takimi do t’ju drejtohem, pas takimit të radhës”, tha Kurti.

Ora 08:55 – Kontrolle të rrepta policore në rrugën drejt hotelit të takimit

Policia Ohër
Kontrolle policore në Ohër, në rrugën drejt hotelit të takimit Kosovë-Serbi. Foto: Klankosova.tv

Në këto momente, rruga që të çon drejt hotelit Inex Oglica në Ohër, ku pritet të zhvillohet takimi Kurti-Vuçiç-Borrell, është e ngarkuar.

Arsyeja e ngarkesës janë kontrollet e rrepta të sigurisë për çdo makina dhe persona që hyjnë në zonë. (klankosova)

Teksti i propozimit evropian

Bashkimi Evropian më 27 shkurt publikoi të plotë tekstin e propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Teksti u publikua pas rundit të dialogut, ku palët u pajtuan për këtë propozim.

Ky është teksti i plotë i propozimit:

Palët kontraktuese,

Të vetëdijshme për përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e paqes;

Të përkushtuara për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale dhe për të kapërcyer trashëgimin e së kaluarës;

Të përkushtuara të kontribuojnë në sigurinë dhe bashkëpunimin e frytshëm rajonal në Evropë;

Të vetëdijshëm për paprekshmërinë e kufijve dhe respektimit të integritetit dhe sovranitetit territorial, si dhe mbrojtja e pakicave kombëtare, janë kushtet themelore për paqen;

Duke vepruar nga fakti historik dhe pa paragjykuar pozicionet e ndryshme të palëve në lidhje me çështjet themelore, përfshirë çështjet e statusit;

Me dëshirën për të krijuar kushte për bashkëpunim midis palëve për të mirën e njerëzve, kanë rënë dakord që:

Neni 1

Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën, mbi bazën e të drejtave të barabarta.

Të dyja palët do t’i njohin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Neni 2

Të dyja palët do të udhëzohen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën për vetëvendosje, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin.

Neni 3

Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do ta zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre vetëm në mënyrë paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi apo përdorimi i forcës.

Neni 4

Palët nisen nga supozimi se asnjëra nga këto të dyja nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Neni 5

Asnjëra palë nuk do të bllokojë, ose do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë përparimin e palëve në rrugët e tyre perspektive drejt BE-së bazuar në meritat e tyre. Të dyja palët duhet të respektojnë vlerat e përmendura në nenin 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.

Neni 6

Përderisa kjo marrëveshje bazë përfaqëson një hap të rëndësishëm të normalizimit, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re në procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, që do të çojë në marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme, gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

Palët bien dakord ta thellojnë bashkëpunimin në të ardhmen në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe lidhshmërisë, marrëdhënieve në drejtësi dhe zbatim të ligjit, postë dhe telekomunikacion, shëndetësi, kulturë, fe, sport, mbrojtje të mjedisit, persona të zhdukur, dhe fusha të tjera të ngjashme përmes arritjes së marrëveshjeve specifike.

Detajet do të pajtohen në marrëveshjet shtesë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

Neni 7

Të dyja palët janë të përkushtuara në arritjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës.

Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Neni 8

Palët do të shkëmbejnë misione të përhershme. Ato do të vendosen në selitë përkatëse të qeverive.

Çështjet praktike që lidhen me vendosjen e misioneve do të trajtohen veçmas.

Neni 9

Të dyja palët vënë në dukje angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për ta krijuar një pako të veçantë ndihme financiare për projektet e përbashkëta të palëve për zhvillimin ekonomik, lidhshmërinë, tranzicionin e gjelbër dhe në fusha të tjera kyçe.

Neni 10

Palët do ta krijojnë komisionin e përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Të dyja palët konfirmojnë detyrimet e tyre për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut nga e kaluara.

Neni 11

Palët angazhohen të respektojnë udhërrëfyesin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

REDAKSIA TVKLAN.AL