Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot do të mblidhet për të vendosur për certifikimin e kandidatëve për deputetë.

Kryetarja e këtij institucioni, Valdete Daka, ka thënë mbrëmë në një debat se sot vendoset për kandidimin e 47 kandidatëve që kanë probleme me ligjin. KQZ më herët kishte njoftuar se ka pranuar përgjigjet e nevojshme nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.

“Nga përgjigja që kemi marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, rezulton se 15 nga 28 subjektet politike që kanë aplikuar për certifikim kanë kandidatë të cilët nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, germën q, e cila specifikon se kandidat për deputet nuk mund të jetë një person i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit. Në përgjithësi, janë 47 kandidatë nga rreth 1 080, të cilët janë shpallur fajtorë për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit”./klankosova