Xhaçka merr mbështetje nga vendet anëtare për Shqipërinë

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara voton sot për të zgjedhur 5 anëtarë jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit.

Shqipëria, Brazili, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë në garë, pa konkurrentë nga rajonet përkatëse, për 5 vendet. Por për t’u zgjedhur, secila prej tyre duhet të sigurojë dy të tretat e votave të vendeve anëtare të OKB-së në një votim të fshehtë.

Për të siguruar mbështetjen e nevojshme Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka ka zhvilluar ditët e fundit një sërë takimesh në New York.

Së fundmi ajo është pritur nga përfaqësuesit e përhershëm të 5 vendeve anëtare me të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit, por edhe me përfaqësues të vendeve të tjera. Xhaçka i ka njohur ata me prioritetet e Shqipërisë pas marrjes së këtij vendi.

Tv Klan