Zgjedhje në PD, 4 kandidatë në garë




Zgjedhje në PD, 4 kandidatë në garë

12:00 13/06/2021

75 mijë anëtarë do zgjedhin mes 4 kandidatëve

Rreth 75 mijë anëtarë të Partisë Demokratike janë thirrur sot për të zgjedhur kryetarin e ri të partisë.

Në garë për kreun e ri të selisë blu janë katër kandidatë, kryetari në detyrë i PD, Lulzim Basha, i cili sfidohet nga Agron Shehaj, Fatbardh Kadilli dhe Edit Harxhi.

Procesi i votimit ka nisur në orën 08:00 të mëngjesit dhe do të përfundojë në orën 19:00 të pasdites, ndërkohë që numërimi i votave do të kryhet pranë qendrave të votimit.

Në Tiranë, drejtuesit e lartë të partisë, Kryesisë, anëtarët e grupit parlamentar dhe ata të Këshillit Kombëtar po votojnë në qendrën e hapur në selinë qendrore, ndërsa anëtarët e degëve pranë zonave të tyre.

Deri më tani procesi ka vijuar normalisht, ndonëse kandidati Agron Shehaj nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale ka folur për parregullsi dhe presione në zgjedhje për të cilat thotë se po mblidhen fakte e të dhëna.

Deklaratat e kandidatëve:

Gjatë fjalës së tij pasi votoi në selinë blu, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se procesi i zgjedhjeve në PD është unik dhe se lufta do të vijojë deri në përmbysjen e regjimit Rama-Doshi.

“Së pari, dua të falënderoj mediat për mbulimin që po i bëjnë këtij procesi unik. Dua të falënderoj gjithë demokratët anembanë Shqipërisë. Po ashtu ata që janë në këtë kujdestarë të procesit, komisionerët, vëzhgues, në këtë proces unik të vlerave tona, të vlerave të demokratëve, të zgjedhjes së kryetarit. Këto janë vlerat tona, të demokracisë, të shprehjes së lirë, të konkurrencës dhe debatit. Me këto vlera e kemi nisur betejën për ndryshimin për Shqipërinë e shqiptarët, me këto vlera do ta çojmë deri në fund, deri në përmbysjen e regjimit Rama-Doshi”, tha Basha.

Kandidati tjetër, Fatbardh Kadilli, tha se gara u mbyll në mënyrë të pabarabartë.

“Është një moment shumë i rëndësishëm për PD dhe anëtarët e saj. I fto të marrin pjesë në votim sepse tregojmë që e duam këtë parti, që duam që të ringrihet dhe ringritja fillon sot ku çdo anëtar merr përgjegjësitë e veta për t’iu përgjigjur detyrimit për të votuar lidershipin e ri. Është një garë që u mbyll siç u nis, e pabarabartë por është një garë për të cilën jam i lumtur që ndeza shkëndijën e parë të saj. Iu rikthye gara PD-së falë kurajos dhe propozimit. Ky është kontributi im i parë, në vazhdim manifesti politik për projektin e PD-së do jetësohet dita ditës për ta bërë partinë atë që duam, një parti e pastër, e hapur dhe e bashkuar”, tha ai.

Kandidati Agron Shehaj i ka bërë thirrje demokratëve që të luftojnë për votën e tyre dhe të mos lejojnë askënd që t’ua heqë të drejtën.

“Falenderoj gjithë mbështetësit dhe vëzhguesit dhe votuesit në Shqipëri. I ftoj demokratët të shkojnë të votojnë më qetësi sepse sot nuk zgjidhet vetëm kryetari i PD, por vendoset fati i zgjedhjeve të ardhshme. Këto zgjedhje rrisin vlerat e PD, por nëse standardi është i ulët mund të kthehet në boomerang për PD. Ëshë e rëndësishme kush do të fitojë nga kandidatët, por është shumë e rëndësime besueshmëria te Partia Demokratike”, tha Shehaj.

Kandidatja Edit Harxhi tha se procesi ka pasur parregullsi, ndërkohë që sipas saj, nga sot fillon betejën për të ringritur PD.

“PD është një aset dhe pasuri kombëtare dhe i përket të gjithë shqiptarëve. Sot është dita e demokratëve, është ditë e rëndësishme për të gjithë ne dhe ne sot votojmë për ndryshimin dhe për një reformim të plotë të PD dhe ringritje e saj mbi vlerat e 1990. Mendoj që do të fitoj dhe demokratët do të fitojnë në radhë të parë sot. Jam e sigurt që vota e demokratëve do të jetë për ndryshimin. Ka pasur probleme, procesi është me probleme të mëdha, anëtarësia është përgjysmuar. I bëj thirrje Bashës dhe kryesisë së PD dhe komisionit zgjedhor që ndjekin procesin, nëse demokratët nuk do të gjenin emrat në lista ky proces do të jetë fars për ne. Demokratët janë penguar të votojnë vetëm se u thuhet se nuk janë aktiv në PD, kjo nuk është normale, jam e sigurt që ata janë thirrur të votojnë më 25 prill për PD. Dita jonë fillon sot, unë filloj sot betejën time për të ringritur PD. Unë e kam shprehur kohë do të jem aktive në PD dhe beteja ime fillon sot, edhe po të mos fitojë, unë do të vazhdojë të luftojë por jam e sigurt që do të fitojë”, tha Harxhi.

Zgjedhjet në PD, Gjana: Procesi ka vijuar normalisht

17.2% e anëtarëve të PD-së kanë marrë pjesë në zgjedhjet që po bëhen për kryetarin e partisë. Kryetari i komisionit të zgjedhjeve në PD, Jemin Gjana, bëri publike rezultatin paraprak të pjesëmarrjes deri në orën 10:30. Gjana tha se nuk ka pasur probleme gjatë procesit të votimit. Edhe në ato raste ku ka pasur ndonjë ndërprerje sipas tij, ai u shpreh se janë marrë vendimet përkatëse që të vijojë procesi.

Jemin Gjana: Me të dhënat e orës 10:30 pjesëmarrja është 12 928 anëtarë që kanë votuar. Çfarë do të thotë një shifër që shkon tek 17.2%. Janë të dhënat e para një ore. Procesi përgjithësisht ka ecur normalisht. Nuk ka pasur vonesa. Në dy te raste që ka pasur ndonjë ndërprerje për efekt qartësimi të situatave të votimit për anëtarë me kartë janë marrë vendimet përkatëse në komision dhe procesi ka vijuar.

Mbrëmë deri në 00:30 ka vazhduar procesi i marrjes së propozimeve nga kandidatët për deputetë dhe përfaqësuesit. Kanë mundur t’i plotësojë disa ditë më parë zoti Basha. Dje pasdite kandidati Kadilli ka përmbyllur të gjithë komisionet me përfaqësuesit e tyre. Me kandidaten Harxhi deri në orën 12 mbrëmë kemi mbyllur të gjitha emrat e përfaqësuesve të saj në komisione. Ajo ka lënë disa vende bosh, nuk ka përfaqësi në 10 apo 12 komisione për të cilat ka pasur dakordësinë që s’ka përfaqësim. Kemi patur probleme në 7-8 raste të përfaqësuesve të kandidatit Shehaj, Për arsye se erdhën disa propozime që u rrëzuan nga Komisioni. Arsyeja ka qenë e qartë, ose kanë pasur kartë anëtarësie dhe nuk kanë qenë në listën e anëtarëve, ose janë deleguar nga një degë në një degë tjetër. Nuk është pranuar që vëzhguesi i Shehajt në Kavajë të jetë anëtar partie i Rrogozhinës. Jo se nuk ka përfaqësim, por ka kritere saktësisht të përcaktuara, për të cilat komisioni ka marrë vendimet përkatëse.

Rikthim në krye të PD? Berisha: Jam konsistent në deklarata

Në zgjedhjet që po zhvillohen këtë të diel për kryetarin e ardhshëm të PD-së, ka votuar edhe lideri i saj historik Sali Berisha. Në fund, ish-kreu i PD-së është pyetur nga gazetarët rreth deklaratës që bëri disa ditë më parë ku nuk përjashtoi rikthimin e tij në drejtimin e selisë blu. “Jam konsistent në deklatrata”, tha Berisha.

Po ashtu, ai nuk zbuloi se cilën nga kandidatët ka votuar duke iu përgjigjur gazetarëve: Ti jo që do të nxjerrësh sekretet, por sekretet e sekreteve. Ndër të tjera, Berisha u bëri thirrje anëtarëve të PD-së që të marrin pjesë në votime dhe tha se PD-ja në fund të procesit del më e bashkuar.

Sali Berisha: Të marrin pjesë sa më shumë në këtë proces votimi. Mesazhi sot është pjesëmarrja në votim. Po zhvillohet një proces që duhet ta vazhdojmë.

Gazetari: Në gjykimin tuaj, kjo garë e nxjerr më të bashkuar apo ka rrezik përçarje të kësaj force politike?

Sali Berisha: Besoj se pasi kam shprehur qëndrimin tim, besoj se kjo nuk do të nxjerrë më të ndarë, por më të bashkuar. Kandidatë kanë shprehur pikëpamjet e tyre. Kandidatët janë zotuar që do të vazhdojnë pavarësisht nga rezultati përpjekjet e tyre për PD-në dhe vendin.

Gazetari: A kishte dilema zoti Sali Berisha tek fleta e votimit?

Sali Berisha: Ti jo që do të nxjerrësh sekretet, por sekretet e sekreteve.

Gazetari: I qëndroni deklaratës suaj se nuk e përjashtoni një rikthim në krye të PD-së?

Sali Berisha: Unë jam konsistent në deklaratat e mia. 

Nishani: Nëse më 25 Prill pati masakër elektorale nga Rama, sot kemi maskaradë elektorale

Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Bujar Nishani, votoi këtë të dielë për zgjedhjet për kryetar të selisë blu. Në një prononcim për gazetarët ai tha se “Nëse më 25 Prill pasur një masakër elektorale nga regjimi i Ramës, sot kemi një maskaradë elektorale”.

Ish-Presidenti tha se rezultati i zgjedhjeve të sotme është paracaktuar dhe vendosur. Për këtë, Nishani renditi arsyet që sipas tij janë që nga fakti që janë përgjysmuar listat e anëtarëve e deri tek kërcënimet për mbështetësit e kandidatëve kundër Bashës.

Bujar Nishani: Sot është një ditë e rëndësishme së pari për Partinë Demokratike, por edhe për të gjithë shqiptarët. PD duhet të jetë e vetmja shpresë për ta, e vetmja mundësi, i vetmi mekanizëm politik të bërë të mundur daljen e shqiptarëve nga ky ngërç që e ka mbytur Shqipërinë këto 8 vite, që me gjasa do të vijë të thellohet dhe në katër vitet e ardhshme, nga një regjim që ka prishur çdo standard dhe ka minuar gjithçka. Në këtë kontekst PD duhet të shihet si shpresa e shqiptarëve, por edhe për vetë demokratët, për të demonstruar në sytë e opinionit publik që ky është mekanizmi i vetëm politik, është i aftë, i shëndetshëm dhe i fortë që jo vetëm të përballojë regjimin e bandave, regjimin e masakrës elektorale, por dhe të sjellë dhe një model krejt ndryshe me marrjen e pushtetit nga ana e saj. Për fat të keq kjo sot jo nuk u realizua por dëshmoi të kundërtën. Nëse më 25 Prill kemi pasur një masakër elektorale nga regjimi i Ramës, sot kemi një maskaradë elektorale. Më vjen keq ta them këtë, sepse jam dhe unë përgjegjës i kësaj situate si shumë demokratë të tjerë, që kemi lejuar që të vazhdojë projekti për të shkatërruar PD-në. Unë sot kam një mesazh për bashkëpunëtorët e mi, për anëtarët e PD, për themeluesit e PD-së, për rininë që duhet të jetë sot vijë e parë e lidershipit të PD, do t’iu them atë që të gjithë ata që kanë marrë përsipër misionin e shkatërrimit të PD-së në një fasadë që kanë marrë përsipër një mision të pamundur. PD është ngritur nga hiri i djegies së vendit. Ka pasur shumë sakrifica. Gabojnë rëndë ata që mendojnë se mund ta marrin peng PD-në, mund ta bëjnë një forcë pa energji. Po ju them shkurtimisht disa fakte që besoj se opinioni publik i ka parë. Së pari nuk ka pasur një garë të barabartë dhe të ndershme, kandidatët e tjerë veç kryetarit në detyrë nuk kanë pasur asnjë mundësi infrastrukturore. Drejtuesit në degët lokale kanë refuzuar që të refuzojnë vendimet e Këshillit Kombëtar që të organizojnë takimet për kandidatët e tjerë. Sot në degën e Devollit nga 2 mijë anëtarë që ishte lista e PD më parë, sot lista ka përfunduar me 90 anëtarë. 50% e anëtarësisë është zhdukur brenda 3 muajsh. Në Kavajë përfaqësuesi i kandidates Edit Harxhi është kërcënuar fizikisht pasi tentoi që të pengonte një person që përveç votës për vete votoi edhe për anëtarët e familjes. Mesa duket kryetari në detyrë ka një frikë nga mungesa e mbështetjes reale nga anëtarësia e PD. Përpiqet që të reduktojë numrin e anëtarësisë. PD sot është në një rrezik të madh për ta kthyer në një aneks pa forcë brenda. Kjo është një betejë për demokracinë. Shumica e demokratëve janë zemërthyer për këtë debat që kemi sot. Duhet të kishim debatin se si do të niste rruga drejt modernizimit. Sot diskutojmë për pamundësi për të bërë fushatë. Atë që Rama bëri më 25 prill me shqiptarët, kryetari në detyrë i PD po e realizon sot brenda PD. Rezultati i zgjedhjeve është paracaktuar që në momentin ku në mënyrë antistatutore, të padrejtë, u përjashtuan kandidatë për të garuar, që në momentin që u vendos data e zgjedhjeve pa konsultë. Rezultati jo është paracaktuar, por është vendosur. Kjo e dëmton akoma dhe më shumë imazhin e PD-së. PD ka një sfidë më të madhe, sfidën për rezistencë. Nëse PD nuk kthehet në partinë e 1 milionë shqiptarëve që e votojnë dhe e mbështesin, regjimi i Ramës do të vazhdojë dhe të rrijë në kurrizin e shqiptarëve, shumë e shumë kohë. Për mua një mesazh shumë i qartë. I thotë anëtarësisë që situata në PD është e rëndë dhe duhet ndryshuar. Është mesazh që ka një dhimbje dhe thirrje të madhe për situatën e rrezikshme që është PD. Unë jam njeri që vlerësoj institucionet. Për fatin e keq edhe kjo mundësi është e pamundur sot, partia nuk ka institucionet e ankimit. Prej 4 vitesh ka qenë e detyrueshme që të ngrihej komisioni i apelimit. Kjo i takon Këshillit Kombëtar që më ka zgjedhur. Unë jam, kam qenë dhe do mbetem në borxh politik me PD gjithë jetën./tvklan.al





Të ngjashme