Kuvendi i Maqedonisë së Veriut mblidhet sot dhe pritet të votojë qeverinë teknike e cila do të drejtohet për herë të parë nga një shqiptar. Ai do të jetë Talat Xhaferi, ish-kryetar i Kuvendit.

Në këtë mënyrë, Xhaferi pritet që të pasojë Dimitar Kovaçevskin, i cili dha dorëheqjen bazuar në ligjin për zgjedhje. Sipas këtij ligji në 100 ditët para zgjedhjeve do të vendoset një qeveri teknike e cila do të ketë mandat organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut, do të mbahen më 8 Maj, së bashku me zgjedhjet presidenciale.

Pjesë e Qeverisë teknike do të jetë edhe partia maqedonase opozitare, VMRO DPMNE, e cila do të udhëheqë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Punës dhe Politikës Sociale. Në ekzekutivin teknik, kjo parti do të ketë edhe tri zëvendëskryeministra, me kompetenca të veçanta.

Ndryshime në postet e tjera ministrore nuk do të ketë. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojnë të udhëheqin ministritë që aktualisht kanë nën drejtim.

Xhaferi është caktuar në postin e kryeministrit teknik nga BDI-ja, e cila seancën plenare të 28 janarit e ka cilësuar si “ditë historike”.

“Të dielën, 28 janar zgjedhim kryeministrin e parë shqiptar të Maqedonisë së Veriut. Kjo ditë është historike sa për shqiptarët, aq dhe për maqedonasit, sepse po bëhemi shtet dhe shoqëri e barabartë dhe po tejkalojmë të gjitha paragjykimet”, tha kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, në një mesazh drejtuar qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të shtunën.

Këtë ditë e konsideron si historike edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili vlerëson edhe sjelljen e Ali Ahmetit si leksion historik për të gjithë brezat.

Kujtojmë se një kryeministër shqiptar u premtua nga kryetari i BDI-së në zgjedhjet e vitit 2020. Këto zgjedhje u fituan nga LSDM-ja që drejtohej asokohe nga Zoran Zaev, që për rrjedhojë u bë kryeministër i Maqedonisë së Veriut. Ai arriti një marrëveshje për formimin e qeverisë në vitin 2020 me Ali Ahmetin ku u pajtua që në 100 ditët e fundit të mandatit qeveria teknike të drejtohej nga një emër i propozuar nga BDI-ja.

Ndërkaq, VMRO-ja, edhe pse do të jetë pjesë e Qeverisë, tha se në aktin e votimit do të jetë e përmbajtur.

Nga kjo parti maqedonase thanë se nuk mund të votojnë Talatin Xhaferin për kryeministër, “për shkak të shkeljeve të shumta që ka bërë derisa ishte kryetar i Kuvendit”.

Kundër zgjedhjet së Talat Xhaferit është shprehur edhe opozita shqiptare, e bashkuar në Lidhjen Evropiane për Ndryshim. Edhe ajo akuzon Xhaferin për “shkelje të shumta” gjatë punës në cilësinë e kryetarit të Kuvendit maqedonas.

Për Qeverinë teknike duhet të votojnë gjysma e deputetëve apo 61 nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Edhe pa votat e VMRO/DPMNE-së, shumica aktuale ka numrin e nevojshëm për të miratuar Qeverinë e re.

Votimi i Qeverisë teknike duhet të bëhet më së voni deri të dielën në mesnatë./tvklan.al