Fotografia e postuar në rrjetet sociale nga Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, ku harta e Kosovës shaqej me flamurin serb, ka sjellë edhe reagimin e Ministrit shqiptar të Diasporës, Pandeli Majko.  

“Me publikimin e fotos së Republikës së Kosovës me flamurin serb, Presidenti i Serbisë Vuçiç, tregon se i pëlqen papajtueshmëria. Ky është një problem i shtetit serb dhe i seriozitetit të zgjedhur në Beograd.

Republika e Serbisë nënshkroi një deklaratë në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë për të respektuar procesin e paqes rajonale. Diplomacia e fotove në Instagram zhvlerëson seriozitetin e shtetit serb në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Sovraniteti i Republikës së Kosovë garantohet nga NATO dhe jo nga Instagrami. Kjo është arsye e mjaftueshme që presidenti serb ti ofrojë shtetasve të vet, një të ardhme të cilën mund ta përballojnë. Roli i Gavrilo Principit në kohën e integrimit europian nuk mirëkuptohet. Serbia duhet të mos kapitullojë përballë pamundësive të saj! As në Instagram!”, shkruajti Majko në një postim në Facebook./tvklan.al