Ul parashikimin për rritjen ekonomike në 3.5%

Pavarësisht dëmeve që shkaktoi tërmeti i 26 Nëntorit, i cili pritet të japë efekte në ekonominë e vendit dhe të ndryshojë disa parametra makroekonomikë, agjencia prestigjioze e rankimeve Standard& Poor’s, e ka klasifikuar sërish borxhin e Shqipërisë si të qëndrueshëm, duke vendosur notën B+.

Agjencia sheh si pozitiv faktin se edhe pse ka përjetuar një vit me trazira politike dhe me pasoja të tërmetit, perspektiva europiane do të detyrojë qeverinë të vazhdojë reformat strukturore të saj. Megjithatë Standard& Poor’s shprehet se ka risqe fiskale të dukshme siç janë detyrimet e prapambetura te niveli i lartë i borxhit publik.

 “Politikat e qeverisë në menaxhimin e risqeve fiskale janë në vijim, por krijimi i detyrimeve jashtë bilancit në gjykimin tonë ka të ngjarë të ulë transparencën.”

Standard& Poor’s vlerëson se ekonomia shqiptare do të rritet me 3.5% këtë vit, ndryshe nga tagri që ka vendosur qeveria në 4.1%.

 “Ne projektojmë se rritja ekonomike do të jetë mesatarisht 3.5% në terma afatmesëm derisa të përfundojnë projektet e mëdha në infrastrukturë dhe në një moment ku kërkesa për mallra shqiptare është e ulët për shkak të reduktimit të fuqisë blerëse në vendet partnere tregtare.”

Në njoftimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë thuhet se Agjencia ka vlerësuar performancën e parametrave të buxhetit, që nga niveli i defiçitit në një vit që u godit nga tërmeti dhe tendenca në ulje e borxhit publik.

Klasifikimi i pandryshuar B+ për Shqipërinë këtë vit është mjaft i rëndësishëm, pasi në maj qeveria pritet të dalë në tregjet ndërkombëtare për të emetuar një Eurobond me vlerë 600 milion euro. Normat e interesit të tij do të përcaktohen edhe nga vlerësimi që jep për investitorët Standard & Poors dhe Moody’s.

Tv Klan