Një zonë e quajtur Boca Chica në pjesën jugore të Teksasit, pranë kufirit me Meksikën është tjetërsuar në atë që themeluesi i SpaceX, Elon Musk, e quan porta e Marsit. Këtu po ndërtohet raketa për udhëtimet drejt planetit Mars dhe më tej. Materiali në vazhdim tregon se si SpaceX po e transformon një komunitet pensionistësh në një mjedis futurist.

Në skajin jugor të Teksasit të quajtur Boca Chica, përgjatë autostradës 4, gjendet vendi historik i betejës së fundit të Luftës Civile. Disa minuta më larg mund të shihen pamje të asaj që do të futet në histori, porti hapësinor dhe që mund të jetë fillimi i udhëtimit ndërplanetar.

SpaceX po ndërton dhe teston prototipe të gjeneratës së ardhshme të raketës së quajtur Starship, që një ditë do të dërgojë njeriun në Hënë dhe në Mars. David Santilena është pilot dhe pronar i një biznesi të ri që shpreson të arrijë sukses me zhvillimin e kësaj industrie.

“Njerëzit do të duan të jenë të pranishëm dhe të shohin këtë, një çmenduri e tejkalimit të kufijve të asaj që është e mundur.”

Zoti Santilena thotë se ishte pa ndonjë shans për biznes kur SpaceX zgjodhi jugun e Tekasit si portin hapësinor për raketat Starship.

“Njeriu ka vetëm një jetë. E bleva tokën dhe puna ishte e madhe, por çdo ditë duket se po i afrohemi synimit.”

Qëllimi i tij ishte të ndërtonte një destinacion për të apasionuarit e hapësirës për të parë lëshimet, me vende kampingu dhe dhoma me qera.

“Pamjet do të jenë mahnitëse si për uljet e ashtu edhe nëse ka dështime. Në çdo rast, do të jem këtu për të parë gjithçka,” thotë David Santilena.

Banorët kanë parë suksese dhe dështime, siç ishte testi në këto pamje që pati një fund spektakolar.

Elon Musk, themelues i SpaceX e përshëndeti ekipin e tij në median sociale duke thënë se, “morëm të gjitha të dhënat e duhura.”

Zoti Musk e përshkruan Teksasin e Jugut si portën drejt Marsit. Ai shpreh besimin se njerëzit mund të zbresin në planetin e kuq brenda gjashtë vitesh.

Që nga vendosja në Teksas në vitit 2014, SpaceX po ndërton dhe kryen prova për anijen hapësinore Starship, një raketë e ripërdorshme që synon t’i bëjë udhëtimet ndër-planetare si udhëtimet e zakonshme ajrore. Kjo përpjekje ka hapur vende pune.

Por përparimi ka një çmim. Disa banorë pranë qendrës teknoloigjike thonë se u është dashur t’i shesin shtëpitë e tyre për SpaceX me çmime që do të dëshironin të ishin më të lara. Në vend të tyre janë vëndosur punonjësit e kompanisë SpaceX. Maria Pointer ka qënë banore në zonën Boca Chica.

“Kishim një shtëpi që i nevojitej kompanisë SpaceX dhe që ishte në mes të kantjerit ku bëheshin punimet. Nuk kishim ç’bënim.”

Pas negociatave me SpaceX ajo la shtëpinë në muajin mars dhe aty u vëndosën punonjës të kompanisë.

“Mu desh të bëja limonatë nga limonët. Nuk e dhashë veten por me ato para do të bëjë gjëra të mira për familjen.”

Nga shtëpia e saj e re, ajo ka shijur zhvillimin e prototipeve të reja të raketave dhe ka shkruajtur për to. Por ajo thotë se do të kishte qënë më mirë sikur SpaceX të kishte zgjedhur një vend tjetër në mënyrë që ajo të mos ishte shpërngulur dhe jeta e egër aty pranë të ishte ruajtur.

Maria Pointer thotë se do të vazhdojë të shkruajë në median sociale për SpaceX ashtu sikurse zoti Santilena do të ndajë lëshimet e arshshme me këdo që dëshiron të vizitojë pronën e tij Rocket Ranch./VOA