“Ju ka thënë Kryeministri kështu? Të shkojnë tek Kryeministri!”

4 studente tregojnë se kishin marrë një banesë me qira në Tiranë deri në Qershor të 2020-ës te shtetasja Dafina Bregu. Për shkak të pandemisë dhe izolimit nuk paguan dot muajin Prill, duke marrë shkas edhe nga deklarata e kryeministrit Rama.

Por zonja e shtëpisë ndërroi bravën e shtëpisë, duke mbajtur peng edhe sendet e vajzave. Ato e denoncuan rastin në Komisariatin nr. 4, por asgjë nuk u zgjidh.

Studentet Qiramarrëse-Përshëndetje “Stop-i”! Jemi 4 vajza, që studiojmë në Tiranë në degë të ndryshme: Ekonomiste, Infiermieri e Përgjithshme, Shefe Kuzhine, Inxhinieri Telekomunikacioni. Kemi marrë një shtëpi me qira në zonën e “Medresesë”, zonjës Dafina Bregu deri në datën 31 Qershor të 2020-ës. Mirëpo, që prej datës 9 mars, ne u kthyem në shtëpitë tona, dhe që prej asaj kohe, pronarja filloi duke na marrë në telefon dhe duke na kërkuar qiranë e muajit prill, pasi të gjitha pagesat e tjera ne i kishim kryer. Duke qenë se Kryeministri Rama tha se: …..Ne komunikuam me zonjën Dafina, për të mos i dhënë qiranë e muajit Prill dhe ajo na tha, se nuk i interesonte as ligji, as Kryeministri, dhe ne ramë dakord, që ta paguajmë, pasi nuk na leverdiste, që kur të ktheheshim në shkollë, të gjenim shtëpi tjetër. Mirëpo, gjatë kësaj kohe, që ne nuk ishim në shtëpi, rastësisht shkuam një ditë për të marrë gjërat, që kishim atje dhe pronarja e shtëpisë ishte duke ndërruar bravën, dhe nuk na lejoi, që të futeshim brenda dhe as të merrnim gjërat tona, dhe na kërkoi, që ne ta paguanim bravën me një çmim 200 mijë lekë. Se kështu donte pronarja, që ne mos futeshim në shtëpi dhe të merrnim gjërat tona. Të na i mbante gjërat peng. Shkuam tek Komisariati nr 4, se nuk po gjenim dot gjuhën me pronaren. Pritëm atje disa orë, pritëm disa orë, dhe nuk na u përgjigj asnjë uniformë blu. Ne kërkojmë të marrim sendet tona, prandaj ne iu drejtuam emisionit “Stop” për të na zgjidhur këtë problem, që kemi me qiradhënësen tonë. Të bënim një marrëveshje.

Gazetarja e emisionit “Stop” tentoi të gjejë gjuhën me djalin e shtëpisë Flori Bregu, por kjo tentativë rezultoi një mision i pamundur.

Gazetarja: Përshëndetje! Zonjën dafina doja pak.

Qiradhënësi-Po, fol! Unë jam i biri.

Gazetarja: Unë jam gazetare e emisionit “Stop”. Keni pasur katër studente tek Medreseja me kontratë deri në qershor 2020. Dhe për shkak të pandemisë, 4 studentet kanë vajtur tek shtëpitë e tyre.

Qiradhënësi- Ëhë…

Qiradhënësi- Po, në rregull!

Gazetarja: Muajin Mars e kanë paguar, prillin nuk e kanë paguar sepse kanë dëgjuar kryeministrin Rama që ka thënë “Të gjithë qiramarrësit studentë nuk do ta paguajnë detyrimin e qirasë për 2 muaj”.

Qiradhënësi- Ju ka thënë Kryeministri kështu? Të shkojnë tek Kryeministri!

Gazetarja: Juve keni të drejtë të reagoni, si të doni, duke qenë se është prona juaj private…

Qiradhënësi-S’po reagoj si dua, unë po eci në bazë të ligjit!

Gazetarja: Jo dakord, mirë, po plaçkat pse jua mban peng?

Qiradhënësi-Plackat do t’i mbaj brenda. Unë nuk kam c’i dua ato placka, por fakti qëndron, që mua më kanë bërë dëme në shtëpi.

Gazetarja: Po kur të kanë bërë dëme sepse ato nuk kanë qenë në shtëpi, se kjo është e çuditshme. Flori edhe ato pretendojnë se u kanë humbur sende me vlerë. Byzylykë e ku di unë, varëse floriri etj.

Qiradhënësi-Po, kanë pretenduar ë? Kanë prishur tavolinën e televizorit. Më kanë bërë divanin tërë njolla.

Gazetarja: Flori të të bëj një pyetje?

Qiradhënësi-Po!

Gazetarja: Sa kohë kishin gocat që rrinin aty?

Qiradhënësi-Gati 5 muaj.

Gazetarja: Shumë mirë, po pse nuk u prish dera, televizioni Divani gjatë këtyre 5 muajve por po dalin tani këto gjëra.

Qiradhënësi- Odeta, Odeta më dëgjo një sekondë! Unë nuk veja muaj për muaj t’i kontrolloja brenda. Cdo gjë është me faturë. Edhe brava, që është ndërruar, është ndërruar me faturë!

Gazetarja: Ore Zotëri, të lutem më vjen keq. Bravën e ke ndërruar ti, nuk e kanë ndërruar vajzat. Do ta paguajnë Prillin, të lutem liroji sendet sepse je duke bërë kundërvajtje penale.  

Qiradhënësi- Kundravajtje unë ë?

Gazetarja: Po, po.

Qiradhënësi-Moj zonjë, ato s’më paguajnë lekët, ti  m’thua mua je në kundravjatje.

Gazetarja: Po do ta paguajnë muajin Prill, po jo bravën që fut ti e abazhurin…

Qiradhënësi- Jo moj! Po pse po ato kush m’i ka blerë mua?

Gazetarja: Flori ok, unë po i drejtohem komisariatit nr 4. Që të marrin masa autoritetet, nuk merrem më me ty për marrëveshje. Ti nuk bindesh. Të përshëndes.

Qiradhënësi- Drejtohu moj motër, ku të duash!

 Në këto kushte iu drejtuam edhe ne komisariatit numër 4, i cili u vu menjëherë në lëvizje dhe thirri palët në konflikt, duke detyruar familjen Bregu të hapë derën e të kthejë sendet e studenteve, pas dy muajsh sorollatje.

I plotfuqishmi –Unë kam qenë me leje! Ato gocat kanë shkuar tek Komisariati. Kam qenë me leje, kam qenë me leje. Shko në Komisariat tek Oficeri roje, dhe e gjen me shkrim tek Oficeri i rojës.

Oficeri roje- Është e mbaruar në sekondë ajo punë! Erdhën sot vajzat, po prapë sot janë në dispozicion makina e policisë, i plotfuqishmi i Medresesë. Thuaj gocave, të paraqitën në Komisariat sot, dhe kanë në dispozicion të plotfuqishmin, bashkë me një makinë!

OPGJ, Osman Fucia: Me rastin e vajzave, që patën problemin e mosmarrëveshjes së qirasë, është trajtu me seriozitet nga ana e Komisariatit të Policisë Nr 4. Është shoqëru shtetësja Dafina Bregu, është intervistu në lidhje me problematikat dhe ankesat e zonjës Këze Kaja dhe është zgjidh si problem. Vajzat bashkë me Dafinën, kanë rënë dakord, që të merren vesh me njëra-tjetrën.

Dhe në fakt, pas ndërhyrjes së emisionit “Stop”, Komisariati nr. 4 veproi brenda ditës dhe studentet morën sendet e tyre./tvklan.al