Ndalohen 10 persona, akuzohen për korrupsion

Gjyqtarja e Krujës Enkeleida Hoxha dhe 9 persona të tjerë janë vënë në një pranga në një operacion të SPAK që nisi që në orët e para të mëngjesit të së enjtes. Ky është momenti kur ajo është shoqëruar në Policinë e Tiranës.

Në pranga janë vënë edhe sekretarja e Gjykatës Manuela Mallkuçi si dhe avokati Aldo Tabaku, të cilët sipas Prokurorisë kishin krijuar një skemë përfitimi monetar duke liruar ose lehtësuar dënimin e të dënuarve kundrejt pagesave që varionin nga 6 në 12 mijë Euro.

Mësohet se hetimet kishin nisur muaj më parë dhe kulmuan pasi gjyqtarja kishte pranuar të lironte nga qelia Saimir Petanin, i arrestuar për vrasje, i ekstraduar nga Italia disa vite më parë. Mes të arrestuarve është edhe vëllai i Petanit, Bledar Petani.

SPAK thotë se ka zbardhur edhe skemën e korrupsionit që niste nga avokati Aldo Tabaku i cili kishte krijuar kontakte me gjyqtaren Enkelejda Hoxha. Për të kaluar çështjet në dorën e Hoxhës kujdesej sekretarja e gjykatës e cila ndërhynte në short. Në këtë skemë ishte i përfshirë edhe eksperti i mjekësisë-ligjore Shkëlqim Korbi, që më pas paraqiste procesverbale sipas kërkesave të palëve.

Për këtë arsye oficerët e policisë gjyqësore kanë sekuestruar të gjitha dosjet që ndodheshin në zyrën e gjyqtares ndërsa kanë ushtruar kontrolle edhe në banesat e personave nën hetim. Gjyqtarja Enkelejda Hoxha është vënë shpesh në qendër të polemikave për vendimet e marra ndër vite pasi ka liruar nga burgu emra të njohur të botës së krimit.

Përmendet lirimi me kusht i Indrit Dokles i njohur si anëtar i bandës së Durrësit, Genc Tafilit, Ilir Pajës apo edhe Hekuran Billës që më pas u ekzekutua në një atentat në Tiranë.

Gjatë hetimeve dhe përgjimeve, SPAK ka konstatuar edhe një tjetër rast korrupsioni, pasi sekretarja e gjykatës Manuela Mallkuçi ka paguar ryshfet te mjeku kardiokirurg në QSUT, Edvin Prifti, që ky i fundit të bënte operacion nënën e saj. Për këtë SPAK ka kërkuar pezullimin nga detyra të mjekut dhe të 2 infermiereve.

Tv Klan